Rrëzohen edhe kërkesat e Erges Xhoxhit për ndarjen e akteve dhe të Marenglen Muçajt për moskompetencën
Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi dje kërkesën e avokatit të Dritan Dajtit, i cili i kërkonte Kolegjit Penal që të urdhëronte një mjek për të parë gjendjen shëndetësore të klientit të tij. Gjithashtu avokati kërkoi që mjeku të verifikonte dhe gjendjen psikike të Dajtit, pas ngjarjes së shtatë gushtit të vitit të kaluar, ku gjatë një operacioni për kapjen e të shumëkërkuarit u vranë katër punonjës policie dhe një shtetas tjetër. Prokuroria akuzon për ngjarjen Dritan Dajtin dhe çështja është transferuar në gjykatë. Dje ishte seanca e dytë dhe në kafazin e hekurt ka munguar sërish Dajti, ndërsa ishin të pranishëm dy të akuzuarit e tjerë, Erges Xhoxhi dhe oficeri i policisë, Marenglen Muçaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Në fillim të seancës gjyqësore, kryetarja e Kolegjit Penal, Nertina Kosova, verifikoi palët prezente, teksa legjitimoi edhe avokatin Arben Qeleshi si mbrojtës ligjor të Dritan Dajtit.
Më pas fjalën e mori avokati Qeleshi, i cili i kërkoi gjykatës se klienti i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe kishte nevojë për vizita të specializuara mjekësore. Më pas avokati kërkoi, këtë herë si mbrojtës i Erges Xhoxhit, që çështja ndaj tij të ndahet, pasi akuzat nuk janë kompetencë e Krimeve të Rënda por të Prokurorisë së Tiranës dhe si pasojë e Gjykatës së Tiranës. Ndërkohë avokati i oficerit të policisë, Marenglen Muçaj, i kërkoi gjykatës që të shpallte moskompetencën e akuzave që rëndojnë ndaj klientit të tij dhe çështja të transferohej në qytetin e Durrësit. Pas kërkesave, fjalën e mori organi i akuzës, i përfaqësuar nga prokurorët Ardian Nezha dhe Eugen Beçi. Ata i kërkuan gjykatës që të rrëzonte kërkesat e mbrojtjes, pasi nuk ishin të bazuara në ligj. Kolegji Penal ndërpreu seancën për disa minuta për këshillim. Pas 10 minutash, kryetarja e trupit gjykues, Nertina Kosova, argumentoi vendimet e marra.
Sipas vendimit, rrëzohen të treja kërkesat e mbrojtjes, pasi nuk janë argumentuar me ligj. Më pas fjalën e mori sërish avokati i Dajti, Arben Qeleshi, i cili deklaroi se vendimi ishte i padrejtë, pasi klienti i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai i kërkoi gjykatës që të shtyhet seanca, pasi gjatë hetimeve paraprake prokuroria nuk e ka lënë të takohet me klientin e tij. Pas kësaj kërkese, organi i akuzës e ka kundërshtuar, duke deklaruar se avokati është lejuar ta takojë Dajtin dhe nëse kërkesa pranohet, duhet të shuhen afatet e paraburgimit. Gjykata, megjithëse e quajti të padrejtë kërkesën e avokatit, e shtyu seancën në datën 22 janar, me qëllim që avokati Arben Qeleshi ta takojë Dritan Dajtin dhe të organizojnë mbrojtjen e mëtejshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda.