E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat britanike, “Daily Mail” dhe “The Sun”, shkrime për bandën OTR që përdor armë në video

Mediat britanike, “Daily Mail” dhe “The Sun”, kanë botuar me shqetësim lajmin se në një video muzikore të një grupi shqiptar në Britani, pikërisht grupi OTR, përhapen mesazhe lufte dhe terrorizmi. Anëtarët e këtij grupi në videoklipin e fundit të tyre shfaqen me armë automatike, të cilat madje qëllojnë papushim. Kjo ka bërë që policia londineze të vendosë në listën e personave të vëzhguar anëtarët e këtij grupi, ndërsa videoja e tyre është hequr nga interneti për shkak të dhunimit të termave të botimit. Ky grup ka hedhur më parë video edhe në “Youtube”, me imazhe tejet ekstreme, armë, tatuazhe, kërcënime e gjakderdhje.
Ky grup muzikor nuk i ndan nga krahu armët në videot dhe fotot e veta dhe e gjitha kjo shoqërohet në sfond me flamurin shqiptar kuqezi që përfaqëson një komb paqedashës. Banda muzikore e emigrantëve shqiptarë në Britani tashmë është në listën e personave të vëzhguar nga policia britanike. Megjithatë, policia ka thënë se nuk ka ndonjë rrezik real për momentin, pasi armët nuk duken të vërteta, madje ka mundësi që edhe fotot të mos jenë bërë në Britaninë e Madhe. Shefi i policisë së zonës ka thënë se ata kanë dijeni për grupin OTR. Që në vitin 2006, ky grup është në listën e të vëzhguarve. Imazhet e videove të tyre shihen me dyshim në një kohë kur në të gjithë botën po merren masa ekstreme të sigurisë nga frika e terrorizmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›