E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Rihapen 18 misione diplomatike

 Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar rihapjen e 18 nga 19 misionet diplomatike të tyre, të mbyllura gjatë fundjavës së kaluar për shkak të kërcënimeve terroriste. Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se vetëm ambasada e saj në kryeqytetin e Jemenit, Sana, do të qëndrojë e mbyllur “për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme mbi terrorizmin”.

SHBA-të mbyllën 19 misione diplomatike në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë fundjavën e kaluar, në përgjigje të asaj që ata e konsideruan si një kërcënim për një sulm terrorist.

Konsullata në qytetin pakistanez Lahore, që u mbyll pas një kërcënimi tjetër pa lidhje me ato të javës së kaluar, do të qëndrojë gjithashtu e mbyllur.

“Do të vazhdojmë të vlerësojmë kërcënimet në Sana dhe Lahore dhe do të marrim vendime përkatëse për rihapjen e tyre, bazuar mbi këto informacione”, njoftoi zëdhënësja amerikane e DASH, Jen Psaki.

“Do të vazhdojmë të vlerësojmë gjithashtu informacionet mbi të gjitha bazat tona, në mënyrë që të ndërmarrim hapat e nevojshëm e të duhur për të mbrojtur më së miri sigurinë e personelit tonë, shtetasve amerikanë që udhëtojnë në këto rajone, si dhe vizitorët e ambienteve tona”.

Në deklaratë thuhej se ambasada në Sana do të mbetet e mbyllur për shkak të shqetësimeve rreth një “kërcënimi të vazhdueshëm” me prejardhje nga al-Kaida në gadishullin arabik.

Si transmeton TCH, shumica e punonjësve amerikanë në ambasadën në Sana janë urdhëruar të largohen nga vendi të martën. Mbyllja e ambasadës, së bashku me alarmin për udhëtimet globale, erdhën pasi SHBA-ja raportoi mesazhe të përgjuara mes liderëve të al-Kaidas. Raportimet bënin me dije se mesazhet mes liderëve kryesorë kishin të bënin me një komplot ndaj një ambasade./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›