E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pavarësia e Kosovës, e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet në rajon”

Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Topalli, takojnë kryetarin e parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje gjatë një takimi të zhvilluar me kreun e parlamentit të Kosovës se tashmë shteti i ri në Ballkan, është shndërruar dhe po konsolidohet për ditë në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Berisha tha se Shqipëria do vazhdojë të japë kontributin e saj në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Nga ana e tij, kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi lart kontributin e Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që i kanë dhënë në vazhdimësi Kosovës, si në procesin e njohjes së pavarësisë, ashtu edhe në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në dobi të të mirës së të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre. Në veçanti, kryeparlamentari Krasniqi shprehu mirënjohjen ndaj Kryeministrit Berisha për kontributin dhe rolin e tij për realizimin e projektit të rrugës së kombit, e cila do të shërbejë si një faktor shumë i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve të ngushta e të gjithanshme dhe integrimin kulturor, por edhe ekonomik të kombit.
Në takim u vlerësua ecuria pozitive e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se pavarësia e Kosovës është dhe mbetet e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Gjithashtu, u rikonfirmua vullneti i palëkundur i të dy vendeve për t’i konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin vëllazëror dhe me interes të ndërsjellë në fushën ekonomike, tregtare, arsimore, kulturore dhe për heqjen e të gjitha barrierave qofshin këto të karakterit doganor, tatimor etj.
Edhe në takimin me kryetaren e Kuvendit, Topalli, Krasniqi vlerësoi zhvillimet shumë pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri për sa i përket ecjes përpara të saj në rrugëtimin europian dhe euroatlantik dhe njëherazi falënderoi angazhimin e palës shqiptare në drejtim të kontributit ndaj Kosovës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›