“Rama kthen PS-në në parti-shtet, si Enveri me Partinë e Punës”
Deklaron kreu i grupit kuvendor të PD, Astrit Patozi
Një ditë nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, kryetari i grupit demokrat Astrit Patozi, akuzon kryetarin e Partisë Socialiste Rama, për privatizim të partisë dhe reduktim të çdo hapësirë për mendimin ndryshe. Një logjikë që sipas Patozit të çon tek profili i hershëm i partisë-shtet që funksiononte vetëm në regjimin komunist. Kreu i grupit kuvendor demokrat, i referohet vendimeve të marra në asamble, të cilat përjashtuan dhe kërkesën për zyrtarizim të oponencës kolektive.
Për sa i takon dialogut politik mazhorancë-opozitë, Patozi kujton kuvendin si institucionin e vetëm për debat. Madje këtu, kreu i grupit kuvendor demokrat i referohet dhe deklarimit më të fundit bërë në media të kryetarit të shtetit, deklarim që përjashtonte rikthimin tek tryeza politike në Presidencë, por që ofron kuvendin si shansin për zgjidhje të ngërçit politik.
Në intervistën televizive Astrit Patozi flet dhe për procesin e përzgjedhjes së kandidaturave të reja për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Mazhoranca respekton të drejtën e kryetarit të shtetit në përzgjedhjen e kandidaturave. Patozi, tha se mazhoranca sikundër Presidenti Topi, mbështet kandidatura jopolitike dhe pa lidhje me ish-regjimin e vjetër komunist.
Kryetari i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi ftoi opozitën të bëhet pjesë e procesit për përzgjedhjen e kandidaturave të reja për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Nëse kjo do të ndodhë tha Patozi, opozita do të tregojë se vlerëson rëndësinë e institucioneve të pavarura.