E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Senati ‘ok’ 410 miliardë $ në buxhetin e vitit 2009

Uashington- Senati amerikan votoi dje në mbrëmje një projektligj për një shtesë prej 410 miliardë dollarësh në buxhetin e vitit 2009, në të njëjtën kohë për heqjen e disa kufizimeve lidhur me udhëtimet dhe shitjen e ilaçeve në Kubë.
Dokumenti i quajtur "Omnibus" u miratua unanimisht pas një votimi për mbylljen e debateve, që u fitua nga mbrojtësit e dokumentit me 62 vota pro dhe 35 kundër.

Ai përmbledh nëntë projektligje që kanë lidhje me departamente të ndryshme, me disa agjenci federale dhe me Kongresin, për vitin buxhetor 2009, që filloi më 1 tetor 2008. Projektligji bën të mundur, mes dispozitave të përfshira, heqjen e disa kufizimeve që rëndojnë mbi Kubën. Kështu ai u bën të mundur amerikanëve me origjinë kubaneze të shkojnë në ishull një herë në vit në vend të një herë në tre vjet, që lejohej deri tani.

Projektligji favorizon transferimin e parave nga kubanezët që punojnë në Shtetet e Bashkuara drejt familjeve të tyre në ishullin komunist. Ai i autorizon ata gjithashtu të shpenzojnë deri në 179 dollarë në ditë gjatë qëndrimit në Kubë, kundrejt 50 dollarëve aktualisht. Por ky dokument nuk e heq embargon amerikane ndaj Kubës, që vazhdon që prej vitit 1962.

Dhoma e Përfaqësuesve e kishte miratuar dokumentin javën e kaluar. Ky dokument zëvendëson atë që ishte kundërshtuar nga Kongresi në administratën e George W. Bush dhe që parashikonte sanksione sidomos në fushën e shëndetësisë, të arsimit ose edhe të kërkimit shkencor. Projektligji pritet të miratohet së shpejti nga presidenti amerikan Barak Obama.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›