INSTAT-i: “Dhjetor 2007-janar 2008, çmimet u rritën me 0.5 për qind”
Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin janar 2008 arriti 100.5 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.5 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Sipas INSTAT-it, ndryshimi vjetor në muajin janar është 3.0 për qind, në një kohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 2.9 për qind. Indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" shënoi një rritje prej 1.0 për qind, me një ndikim prej 0.4 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 4.1 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet". Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të spinaqit me 13.1 për qind, specave me 8.1 për qind, domateve me 6.0 për qind, kastravecave me 5.9 për qind, fasules e qepëve të thata me 2.1 për qind, etj. Indeksi i nëngrupit "fruta" shënoi një rritje prej 2.6 për qind ku mund të përmendim rritjet e çmimit të limonave me 18.5 për qind, mollëve me 4.5 për qind, dardhave me 4.1 për qind, mandarinave me 2.2 për qind, kivit me 1.3 për qind, etj. Gjatë muajit janar, çmimet u rritën edhe në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet "vajra dhe yndyrna" me 1.9 për qind, "bukë e drithra" me 0.7 për qind, "peshk" me 0.7 për qind. Çmimet në nëngrupin "qumësht, djathë e vezë" shënuan një ulje prej 0.2 për qind. Indeksi i grupit "Veshje dhe këpucë" shënoi një ulje prej 1.3 për qind, duke pasur një ndikim prej -0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor.
Indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 0.5 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.03 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit janar, çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ndërsa çmimi i benzinës u ul me 0.9 për qind.
12 Shkurt 2008