Buka, prodhuesit nuk pranojnë ulje çmimesh, qeveria paralajmëron gjoba
Pronarët e furrave do t’u shesin bukë me 80 lekë vetëm paraplegjikëve. MBUMK-ja shton masat e kontrollit dhe gjobat për prodhuesit
Mbajtja e çmimit të bukës në nivelet aktuale apo ulja e tij në nivelet e para disa muajve ende ka mbetur një enigmë mjaft e madhe për konsumatorët shqiptarë, të cilët kanë mbetur në mëshirën e ujdive mes qeverisë dhe prodhuesve të bukës. Këta të fundit duken mjaft të vendosur me nismën e tyre të ndërmarrë muajin e fundit kur buka u rrit në mbi 33 për qind. Konsumatorët nga ana tjetër çdo ditë po përballen me surpriza jo të këndshme të tregut, ku përveç çmimit të bukës dhe miellit, të rritur tashmë, shtrenjtimin po e vijojnë të gjitha produktet bazë të konsumit. Për të ndalur këtë situatë, që duket se qeverisë i ka shpëtuar tashmë nga duart, kjo e fundit ka nisur nga aplikimi i disa masave, të cilat, më tepër se parandaluese ose bllokuese, kanë qenë në më të shumtën e rasteve përkeqësuese. Si prodhuesit dhe tregtuesit e bukës, ashtu dhe tregtarët e tjerë të pikave të shumicës, dyqaneve dhe marketeve, kanë vijuar dhe po vijojnë me një ritëm të pashpjeguar shtrenjtimin e produkteve që tregtojnë. Fajtor për këtë bëhet importi, i cili, sipas tregtarëve dhe grosistëve, ka rritur mjaft çmimet, por nga ana tjetër edhe taksat e kripura që qeveria shqiptare aplikon ndaj tyre duke filluar që nga mbërritja e mallit në dogana. Kjo gjë, sipas shumë prej importuesve dhe tregtarëve, ka sjellë automatikisht shtrenjtimin e artikujve të konsumit në vend, përfshi këtu edhe atë të bukës, një ushqim bazë për tryezat shqiptare.
Vendimi i bukëpjekësve
Këshilli Kombëtar i Shoqatës së Prodhimit të Bukës, i mbledhur dje, vendosi që çmimi i bukës të mos ndryshojë megjithë presionet që po bëhen nga qeveria, Ministria e Bujqësisë apo Tatimet, duke lënë në fuqi çmimet aktuale. Sipas kësaj shoqate, buka do të shitet mbi bazën e deklarimit të çmimit dhe sipas peshës reale, si të gjithë artikujt e tjerë ushqimorë. Kryetari i Shoqatës, Gëzim Peshkëpia, tha se Këshilli vlerëson qëndrimin real e objektiv të qeverisë për prodhuesit, si dhe mbështetjen që merr përsipër për të kompensuar dhe ndihmuar biznesin. Sipas Peshkëpisë, “shoqata distancohet dhe nuk pajtohet me veprimet abuzive të individëve të veçantë dhe grupeve në prodhimin dhe shitjen e bukës, si dhe mbështet çdo veprim të institucioneve që luftojnë prodhimin informal”. Kreu i Shoqatës, Peshkëpia, u shpreh se synohet shitja e bukës sipas kërkesave të ligjit Për mbrojtjen e konsumatorit”. "Këshilli Kombëtar vendosi që buka të dalë në treg me etiketë identifikuese të furrës ku prodhohet për të luftuar prodhimin ilegal, ndërsa shoqata merr përsipër që të vazhdojë të furnizojë të gjithë paraplegjikët me çmimin e vjetër të bukës, me 80 lekë", - tha Peshkëpia. Sipas tij, "Këshilli Kombëtar analizoi me përgjegjësi situatën e vështirë që po kalojnë prodhuesit e bukës dhe konsumatorët dhe kërkoi ndërhyrjen e shtetit për krijimin e rezervave të mjaftueshme me grurë dhe miell për normalizimin e furnizimit të tregut". Në kërkesat e Këshillit Kombëtar përfshihej edhe heqja e TVSH-së për grurin dhe miellin, lehtësi fiskale favorizuese për prodhuesit e bukës, si dhe kompensim të energjisë elektrike, naftës, gazit dhe druve.
Vendimi i MBUMK-së
Ministria e Bujqësisë deri tani është përqendruar vetëm te mënyra se si duhet të tregtohet buka, pa ndërmarrë asnjë masë për uljen e çmimit të saj. Drejtorja e Përgjithshme e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në MBUMK, Valbona Paluka, gjatë një takimi të zhvilluar dje me prodhues të bukës, ka diskutuar vetëm mbi mënyrën se si duhet të tregtohet ky mall tashmë i shtrenjtuar. Sipas Palukës, nuk do të lejohet shitja e bukës pa asnjë origjinë dhe e pasigurt për konsumatorin. "Janë marrë masa për ndalimin e tregtimit të bukës në njësitë tregtare që nuk janë të destinuara vetëm për shitjen e këtij produkti'', - u shpreh Paluka. Sipas Palukës, ambalazhimi dhe tregtimi i bukës në njësitë që nuk janë të destinuara për këtë qëllim ndalohet për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe për të luftuar informalitetin në këtë biznes. Paluka u shpreh se të gjitha pikat e shitjes duhet të jenë të pajisura me dokumentacionin shoqërues, sipas legjislacionit në fuqi, ku të tregohet origjina, data e prodhimit, çmimi dhe pesha e saj.
12 Shkurt 2008