E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Tërhiqet nga gara Huntsman, mbështet Romnin

Ish ambasadori amerikan në Kinë, Xhon Huntsman ka shpallur tërheqjen e tij nga gara për nominim presidencial të Partisë Republikane.

Në deklaratën e tij ai theksoi se mbështet kandidatin Mit Romni, ish guvernator i Masaçusetsit.

“Sot unë e pezulloj fushatën time për presidencë. Besoj se tash është koha për partinë tonë që të bashkohet rreth kandidatit, i pajisur më së miri për t’i shkaktuar disfatë Barak Obamës. Përkundër dallimeve tona, besoj se ky kandidat është guvernatori Mit Romni”, tha Huntsman.

Zoti Huntsman doli i treti në garën e fundit në Nju Hempshir, ndërsa gara e ardhshme e republikanëve mbahet më 21 janar në Karolinën Jugore.I nominuari republikan do të ballafaqohet me presidentin Barak Obama, në zgjedhjet presidenciale në nëntor të këtij viti.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›