E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA/ Zjarrfikësit fitojnë terren ndaj flakëve në Los Anxhelos

Flakët gjigante që kanë përfshirë kodrat përreth Los Anxhelosit po vihen gjithnjë e më shumë në kontrollin e zjarrfikësve, falë ndryshimit të kushteve atmosferike.
Zjarrfikësit e angazhuar për fikjen e flakëve deklaruan se shpresonin t'i shuanin ato nga zona historike "Mount Wilson". Por, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve arritën progresin e parë të rëndësishëm kundër flakëve, duke fituar 22 për qind të terrenit nga 5 për qind që ishte të hënën, zyrtarët paralajmëruan se ishte shumë herët për të thënë se situata ishte vënë nën kontroll.
Zjarri ka shkatërruar një zonë me përmasat e Çikagos dhe ka djegur të paktën 62 banesa, por ende e mund të shkaktojë dëme të mëdha, deklaroi komandanti i ekipeve të zjarrfikësve, Mike Dietrich.
"Po të ndodheshim në një ndeshje boksi do të thosha se sot kemi arritur barazimin. Këto zjarre kanë kapacitet për të shkaktuar ende shumë dëme dhe ka një jetë shumë të pasur shtazore në këtë rajon ", deklaroi Dietrich. Deri tani zjarret kanë shkrumbuar një sipërfaqe prej afro 51 mijë hektarësh, ndërkohë që kostoja për shuarjen e tyre ka arritur në 14 milionë dollarë. Dy zjarrfikës kanë humbur jetën dhe dhjetëra shtëpi janë shkatërruar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›