E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA afron rebelët në Uashington, NATO bombardon rëndë Tripolin

Një këshilltar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit ka njoftuar dje se qeveria rebele libiane do të hapë një zyrë në Uashington, treguesi i fundit se SHBA i shikojnë rebelët si përfaqësuesit legjitimë të popullit libian. Pak orë përpara kësaj deklarate, kryeqyteti i Libisë, Tripoli, u trondit nga të paktën 15 shpërthime të mëdha, kur NATO kreu bombardimet më të mëdha ajrore deri tani, në zemër të regjimit të Gedafit. Bombat gjatë natës duket se janë përqendruar në kompleksin e Gedafit në Tripoli. NATO tha se ajo ka goditur një mjet me armatime që po i afrohej kompleksit. Zëdhënësi i qeverisë, Mousa Ibrahim, tha se NATO ka shënjestruar zyrat qendrore të rezervave ushtarake, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Ne nuk kemi pasur kaq shumë të plagosur deri tani, tha ai. Ibrahim shtoi se Gedafi ishte gjallë. Në Bengazi, ndihmëssekretari i Shtetit për çështjet afër Lindjes, Xhefri Feltman, tha se SHBA-të janë shumë të vendosura që të punonjnë me rebelët. Ai tha se gojarisht u kishte ofruar rebelëve mesazhin nga presidenti Obama që të hapnin një zyrë në Uashington dhe ata e kishin pranuar këtë. Deri tani qeveria rebele është njohur zyrtarisht nga Franca, Italia dhe Katari, por Shtetet e Bashkuara nuk e kanë hedhur ende zyrtarisht këtë hap, edhe pse po bashkëpunojnë shumë ngushtë me rebelët dhe po afrojnë ndihma disamilionëshe për ta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›