E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, alarm për rezerva të pamjaftueshme të vaksinave anti-A/H1N1

Autoritetet e shëndetësisë në SHBA kanë njoftuar se nuk kanë rezerva vaksinash anti A/H1N1 të mjaftueshme për të përballuar valën e re të këtij virusi që pritet të përhapet në fillim të stinës së dimrit. 40 milionë vaksina janë duke u pritur që të përdoren nga popullata, por Qendra Kombëtare e Sëmundjeve në SHBA njoftoi se vetëm 28-30 milionë vaksina janë në dispozicion.
"Ne po punojmë shumë me qeverinë që së bashku me kompanitë private farmaceutike të sigurojmë një numër të mjaftueshëm vaksinash anti-A/H1N1. Në rast të kundërt nëse nuk do t'ia dalim, do të përballeshim me një numër të madh njerzish që do vuanin nga viroza e gripit të derrit."- pohoi Anne Schuchat, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Sëmundjeve në SHBA.
Kompanitë farmaceutike Novartis dhe GlaxoSmithKline po punojnë shumë që të shtojnë dozat e vaksinave, por ato kanë hasur në vështirësi të mëdha për shkak se koha është shumë e shkurtër për të prodhuar 12 milion vaksina.
Shumë specialistë të shëndetësisë në SHBA po ankohen për teknologjinë e prodhimit të barnave, pasi ata e konsiderojnë si të vjetër dhe jo efiçente.
"Teknologjia e prodhimit të barnave është e njëjtë me teknologjinë që është përdorur në vitet 50. Proçesi i prodhimit të barnave është tepër i avashtë dhe ky fakt këtë dimër mund të na shkaktojë shumë probleme."-pohoi Dr Paul Jarris, drejtor i Organizatës së Shëndetit në SHBA. Zyrtarët e shëndetësisë në SHBA pohojnë se grupmosha nën 25-vjeçe është më e rrezikuar për tu prekur nga viroza e gripit të derrit gjatë valës së re në stinën e dimrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›