SHBA, dëbohet diplomatja e Venezuelës

Administrata e presidentit amerikan, Barak Obama, ka urdhëruar dëbimin nga Shtetet e Bashkuara të konsulles së përgjithshme të Venezuelës, në qytetin Majami të Floridës.
Raportet e pakonfirmuara thonë se diplomatja Livia Acosta Noguera, akuzohet se ka diskutuar për një komplot që mbështetej nga Irani, për të sulmuar faqet zyrtare të Shteteve të Bashkuara në internet.
Akuzat janë paraqitur në një program të televizionit Univision në gjuhën spanjolle.
Departamenti amerikan i shtetit tha dje se e ka shpallur diplomaten Acosta person të padëshiruar dhe ka kërkuar që ajo deri të martën të largohet nga Shtetet e Bashkuara, në harmoni me procedurën standarde diplomatike.
Nuk është dhënë ndonjë arsye për dëbim.
Ky dëbim po ndodh në kohën kur presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, ka filluar vizitën në Venezuelë.