Meksikë, 23 viktima nga përleshjet në një burg
Një kasaphanë e vërtetë ka ndodhur ditën e mërkurë në burgun e qytetit Durango në shtetin meksikan. Dy banda rivale të burgosurish janë ndeshur keqazi. Bilanci ka qenë tragjik. 23 të burgosur kanë vdekur. Anëtarët e klaneve në këtë burg, ishin pjesë e karteleve rivale të drogës dhe kjo ka qenë arsyeja se përse situata ka degjeneruar deri në vrasje masive. Të burgosurit gjatë përleshjeve kanë përdorur mjete të mprehura dhe shtiza të vogla të cilat policia pohon se ata kanë arritur që t'i marrin nga jashtë burgut.
Policia rrëfeu se skenat e dhunës kanë qenë të llahtarshme. Viktima janë parë duke nxjerrë sasi të mëdha gjaku nga kraharori dhe qafa.
"Siç duket ka pasur një konfromtim të dhunshëm. Nuk ka asnjë të plagosur. Ne i kemi të dhënat dhe gjeneralitetet e viktimave fatkeqe."- tha përfaqësuesi i policisë, Moises Melo Garcia. Për rivendosjen e rendit në burgun e Durangos kanë ardhur me qindra forca të ushtrisë lokale. Ndërsa jashtë burgut me qindra të afërm të të burgosurve kanë bërtitur dhe kanë protestuar që të dinë nëse në mes të viktimave ishin edhe të njohurit e tyre. Në Meksikë përballjet mes karteleve të drogës kanë qenë shumta viktimat si pasojë e rivalitetit të egër që egziston. Që nga viti 2006 në Meksikë mbi 17 mijë persona janë vrarë nga përplasjet e karteleve meksikane të drogës.