E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vit i dyshimeve dhe skandaleve

Vllaznia dhe Tirana janë përfshirë zyrtarisht në hetimin e organizuar nga UEFA për dyshime në fiksimin e rezultateve, ku sipas qeverisë së futbollit europian janë shtatë ndeshje ndërkombëtare. Përveç dy klubeve shqiptare janë dhe FC Dinaburg e Letonisë, NK IB Ljubljana e Slovenisë dhe Budapest Honved i Hungarisë. UEFA publikoi shtatë ndeshjet për të cilat ajo ka nisur hetimet në lidhje me mundësinë e trukimit të rezultateve të tyre. UEFA i ka kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit informacione të posaçme në lidhje me ndeshjet e dy ekipeve shqiptare të dyshuara, Vllaznia e Tirana. UEFA dyshon se ndeshja e kthimit e turit të dytë kualifikues midis Stabaek dhe Tiranës, e përfunduar 4-0 në favor të norvegjezëve është e trukuar. Takimi është luajtur, më 21 korrik 2009. Takimi i parë në “Qemal Stafa” kishte përfunduar 1-1. UEFA futur në listën e saj të hetimeve edhe të dyja ndeshjet e turit të dytë të Ligës së Europës midis Rapidit të Vjenës dhe Vllaznisë së Shkodrës, të fituar nga skuadra austriake 5-0 në Vjenë dhe 3-0 në Shkodër. Bashkë me këto janë dhe ndeshjet Bnei Yehuda Tel-Aviv FC - Bnei Yehuda Tel-Aviv FC dhe NK IB Ljubljana and Metallurg Donetsk.

REAGIMET – Presidenti i Tiranës, Refik Halili: "Mund të them me përgjegjësi të plotë se Tirana kurrë nuk ka shitur ndeshje. Unë jam i hapur për çdo hetim, por mund t’ju them se kjo është dhe një tendencë kundër meje dhe jo klubit Tirana ,por mund të them me përgjegjësi të plotë se Tirana kurrë nuk ka shitur ndeshje dhe Tirana është skuadra model e futbollit shqiptar”. Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, në reagimin e tij pas publikimit nga UEFA të klubit shkodran në listën e gjashtë ekipeve që kanë fiksuar rezultatet e ndeshjeve: “Lajmin e mora vesh nga mediat. Është diçka e habitshme. Jemi të qetë për të pritur vendimin. Jemi të pastër. Kemi qenë gjithmonë kështu. Nuk ka asnjë shkak për të qenë të vërtëta. Jemi të pastër. Delegati i UEFA-s ka bërë raporte pozitive. Nuk kemi pse të shqetësohemi”

PRECEDENTËT - Federata Shqiptare e Futbollit pati nisur vetëm një herë seriozisht hetimet për trukime ndeshjesh nga klubet shqiptare. Rasti në fjalë i përket vitit 2003, kur federata depozitoi në prokuroi një padi për klubin e Vllaznisë dhe Dinamos për shitje ndeshjesh. Vllaznia luante përballë skocezëve të Dandi për turin e parë të Kupës UEFA. Një skocez vendosi një shumë prej 22 mijë sterlinash, rreth 35 mijë dollarë për një rezultat 2/2 (fitore e Dandit që në pjesën e parë) në skedinën e sportit. Por ky bast nuk ishte i vetmi, sepse UEFA verifikoi edhe disa të tjera në shuma shumë pak më të vogla, që kishin vënë për këtë takim. FSHF-ja bëri denoncimin në prokurori për të dy klubet, por nga hetimet prokurorët nuk mundën të vërtetonin asgjë.

GJASHTE KLUBE - Përveç dy klubeve shqiptare janë dhe FC Dinaburg e Letonisë, NK IB Ljubljana e Slovenisë dhe Budapest Honved i Hungarisë. UEFA kishte hartuar një listë paraprake prej 40 ndeshjesh të dyshuara përpara se të hartonte listën me shtatë ndeshje që tashmë janë nën hetim, ku tre prej tyre i përkasin dy ekipeve shqiptare: Vllaznia (2, në Ligën e Europës) dhe Tirana (1, në Ligën e Kampioneve).

200 NDESHJE - Sipas revistës gjermane “Focus”, lista e manipulimeve është e gjatë dhe përfshin një gamë të gjerë kampionatesh. Nga 200 ndeshjet e dyshuara, 32 prej tyre janë në Gjermani, 28 në Zvicër, 29 në Turqi, 17 në Belgjikë, 14 në Kroaci, 13 në Hungari, 11 në Austri, 8 në Bosnjë dhe 7 në Kroaci. Në Gjermani: katër në Bundesligën 2, tre në Bundesligën 3, 18 në Regionalliga, pesë në Oberliga dhe dy në ndeshjet e të rinjve U19. Në Zvicër janë 22 ndeshje në Ligën e dytë dhe gjashtë në takimet përgatitore. Në Austri janë 11 në ligën e parë dhe të dytë.

300 LOJTARË - Sipas gazetës prestigjioze spanjolle “Marca”, në hetim për trukimin e ndeshjeve janë të paktën 300 futbollistë, të cilët militojnë në tre kampionatet e para spanjolle. Në Europë, sipas prokurorisë së Bokumit në Gjermani, janë gati 200 ndeshje të trukuara në Gjermani, Kroaci, Zvicër, Belgjikë, Turqi, etj.

SHTATË NDESHJET E DYSHUARA

Liga e Kampioneve
Turi i dytë kualifikues
Stabaek- Tirana 4-0 (21.07.2009)

Liga e Europës
Turi i dytë kualifikues

Bnei Yehuda Tel-Aviv – Dinaburg (16.07.2009)
Dinaburg- Bnei Yehuda Tel-Aviv (23.07.2009)

Rapid Vien – Vllaznia 5-0 (16.07.2009)
Vllaznia- Rapid Vien 0-3 (23.07.2009)

Liga e Europës
Turi i tretë kualifikues

Ljubljana - FC Metalurh Donetsk (06.08.2009)
Fenerbahçe - Budapest Honved (30.07.2009)

Lista e zezë e dyshimeve

1994-1996
Shqipëri-Uells 1-1
Takimi përfundoi 1 me 1 dhe sipas ish-kapitenit Rudi Vata ishte i shitur. Më të njëjtat dyshime ishte dhe trajneri Neptun Bajko.

2006-2008
Rumani-Shqipëri 6-1
Në Bukuresht, Shqipëria humbi 6-1, ndërkohë që katër ditë më par ishte mundur 4-2 nga Bjellorusia në Tiranë. Kombëtarja u akuzua nga kryeministri Sali Berisha.

2002-2003
Dinamo-Brondbi 0-4
7 gusht 2002, paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve.

2003-2004
Dinamo-Lokeren 0-4.
Skuadra belge fitonte që në pjesën e parë me rezultatin 4-0. Për këtë takim ishin vendosur shuma të mëdha bastesh në internet.

2003-2004
Partizani-Birkikara 4-2
Të kuqtë fituan 4-2 ndeshjen e parë në Tiranë, ku nuk munguan thashethemet që para nisjes së saj.

2003-2004
Vllaznia-Dandi 0-2
Vllaznia luante përballë skocezëve të Dandi për turin e parë të Kupës UEFA.

2004-2005
Partizani-Hapoel Bnei Sakhnin.
1-6 në total. Presidenti Albert Xhani largoi tetë futbollistë si të implikuar në shitjen e kësaj ndeshjeje.

2004-2005
Dinamo-Otelul Galati.
1-8 në total. Kjo cilësohet edhe si ndeshja e fundit fiktive e Mihal Delijorgjit si president i Dinamos.

2005-2006
Ekranas-Elbasani 3-0.
Takimi i fituar nga vendësit u fut në listën e zezë të UEFA-s.

2007-2008
Bezhanija-Besa 2-2
Kjo ka qenë ndeshja më e përfolur e vitit të kaluar, përsa u përket klubeve shqiptare.

2007-2008
Besa-Liteks Loveç 0-3
Kavajasit u mundën lehtësisht nga bullgarët. Për këtë takim ishin vënë baste në kontinentin aziatik.

2007-2008
Slaven Belupo-Teuta 6-2
Takimi i parë i Kupës UEFA. Ndeshja përfundoi në listën e zezë të Europolit. Shumë të mëdha ishin vendosur në Azi.

2009-2010
Rapid Vien-Vllaznia
Liga e Europës. 8-0 në total për skuadrën austriake. Ndeshja është në listën e dyshimeve të UEFA-s. Si presidenti i Vllaznisë, Fushaj, ashtu dhe ai i Rapidit, mohuan prentendimet se rezultatet ishin të parafiksuara.

2009-2010
Stabaek- Tirana 4-0
Liga e Kampioneve. Turi i dytë kualifikues. Ndeshja është në listën e dyshimeve të UEFA-s.

Dhe akuzat nuk kanë të sosur...

DUKA-HALILI– Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka hedhur në gjyq presidentin e Tiranës, Refik Halili. Bosi i bardhebluve akuzohet për shpifje ndaj bosit të FSHF-së. Presidenti i Tiranës, Refik Halili, akuzoi presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, se po bën një lojë jo të ndershme me klubin bardheblu. “E ka personale me mua dhe po përpiqet të hedhë baltë mbi Tiranën. Kjo, për të mbuluar shitjet e ndeshjeve me Kombëtaren”, - tha njëshi i 24-herë kampioneve. Halili shkoi edhe më tej në akuzat e tij: “Duka ka abuzuar edhe me tenderat e ndriçimit të stadiumeve dhe të drejtës televizive”.
Halili: “Nuk kam asnjë problem, pasi gjithçka është e vërtetë. Duka është një komunist që s’di as të ndryshojë. Sportdashësit duhet ta dinë kush e drejton FSHF-në. Seanca e parë gjyqësore do të zhvillohet, më 21 janar 2010.

SOPOTI-LUSHNJA – Zëvendëstrajneri i Sopotit të Librazhdit, Poçi, lëshoi akuza të forta në drejtim të lojtarëve të skuadrës së tij, duke pohuar se disa futbollistë e kanë shitur ndeshjen Sopoti-Lushnja. Lushnja fitoi me rezultatin e pastër 0-3 në Librazhd me golat e shënuan nga Bizhyti 38', Arberi 44' dhe Korreshi 76'. “Dikush nga stafi i Lushnjës, që nuk dua t’ia përmend emrin, - deklaroi Poçi për “Panorama Sport”, - më tha shprehimisht se disa mbrojtës dhe lojtarë kanë marrë para në këmbim të tri pikëve për Lushnjën. Ky është një informacion tejet i sigurt, teksa dhe gjatë ndeshjes u pa loja jonë e dobët”.

LUSHNJA - BYLIS - Klubi i Lushnjës (Kategoria e Parë) përmes një deklarate për shtyp kërkoi nga Federata Shqiptare e Futbollit të hetojë dhe të marrë masat e duhura për veprimet e ndërmarra nga Bylisi (kryesuesi i Kategorisë së Parë). “Zbardhja e tabulateve telefonike midis presidentit të Bylisit, Besnik Kapllanaj dhe katër lojtarëve lushnjarë do të zbardhë të vërtetën”, shkruhej në deklaratë. FSHF-ka ndërmarrë zyrtarisht hetime, duke ngarkuar dy inspektorë të Disiplinës të sqarojnë gjithçka në lidhjen me akuzat reciproke midis dy klubeve të ardhura nga Kategoria Superiore. Drejtuesit e Lushnjës dyshojnë se ka pasur një sërë manipulimesh në ndeshjet e këtij sezoni të Kategorisë së Parë, dhe të gjitha lidhen me emrin e Bylisi. Sipas lushnjarëve bëhet fjalë për pesë ndeshje: Turbina-Bylis (0-1), Bilisht Sport-Bylis (1-0), Burreli-Bylis (1-0), Skrapari-Bylis (0-1) dhe Lushnja-Bylis (0-0).

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›