E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetërsimi i historisë mbi dëmet e luftës në Shqipëri (1939-1945) (III)Nga Dr. Teodor Kareco, [email protected] nga numri i djeshëm Pirateri dhe “zhvatje” para kolapsit dhe atrofizimit të shtetit komunist Autorët mbajnë në njëfarë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Tjetërsimi i historisë mbi dëmet e luftës në Shqipëri (1939-1945) (III)Nga Dr. Teodor Kareco, akareco@comcast.net

Vijon nga numri i djeshëm

Pirateri dhe “zhvatje” para kolapsit dhe atrofizimit të shtetit komunist

Autorët mbajnë në njëfarë mënyre qëndrim zbutës, justifikues, anashkalues e të tjera të kësaj natyre ndaj piraterisë së shtetit komunist për reparacionet që rridhnin nga dëmet e luftës së nazistëve gjermanë. Ndërsa funksionari i lartë i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, sikundër përmendëm, e cilëson “Aventura për t’u zhvatur gjermanëve 4 miliardë dollarë”, autorët tanë i konsiderojnë shifrat të “avancuara” , shifra “që janë vënë hera-herës në dyshim” , “shkalla e korrigjimit është bërë me koeficient zmadhues, aq sa është vënë në dyshim objektiviteti dhe vërtetësia e tyre,” “kërkesa tejet e fryrë dhe aspak realiste e qeverisë shqiptare për dëmshpërblime nga Gjermania” e të tjera të kësaj natyre.

Nuk mund ta kuptoj se përse mbahet një qëndrim kaq i zbutur e tolerant ndaj një akti “piratesk” të kryer nga një shtet komunist në fuqi. Dhe kjo bëhet nëpërmjet kanaleve diplomatike, në organizmat më autoritare ndërkombëtare, si Asambleja e Kombeve të Bashkuara, duke e paraqitur këtë “zhvatje” si diçka normale, të ligjshme, si një pretendim të mohuar në dekada. Natyrisht kjo bëhet për të mbuluar me “gjethe fiku” atë mal me mashtrime të bërë nga rendi komunist. Ajo që unë nuk imagjinoj është se si mund të luhet me “shkencën” në këtë mënyrë. Objektiviteti shkencor diktonte që dëmet që pretendohej se ishin kryer nga okupatorët gjermanë të përpjesëtoheshin me dëmet e shkaktuara nga Lufta Civile, pra të zvogëloheshin. Por, ndodhi e kundërta - ato u paraqitën të shumëfishuara në vlerë.

Ky akt i paprecedent banditesk e piratesk ndodhi aty nga mesi i viteve ’70. Në atë kohë Shqipëria “socialiste” po i prishte marrëdhëniet me “vëllanë e madh” - Kinën komuniste. Kjo do të thoshte që shteti shqiptar të mbetej pa ndihma “internacionaliste”, që ishte praktikuar në dekada, pa kredi, pa rezerva. Komunistët shqiptarë u ndodhën në pragun e një momenti të tillë, që mund të krahasohet me një bishë në lëngim, pa ushqim, në mes të acarit të dimrit e të dëborës, në një moment kur rezervat po shternin, ekonomia bënte tatëpjetë. Po ndihej se diktaturës komuniste po i vinte “laku në fyt”, vitet po rrokulliseshin drejt atrofizimit dhe përmbysjes së madhe. Në këto rrethana, për të zgjatur sado pak jetën, komunistët në pushtet në Shqipëri filluan të përdornin rrugën e mirënjohur të mashtrimit, gënjeshtrave, manipulimit e të tjera të kësaj natyre për të “zhvatur” ku të mundnin e sa të mundnin nëpër botë, qoftë duke u kapur edhe si i mbyturi në ujë pas “fijes së kashtës”, duke përdorur pa skrupull edhe dëmet që populli shqiptar pati nga vrasjet, dhunimet e shkatërrimet e nazizmit gjerman.

Profesor Krisafi e “justifikon” këtë banditizëm shtetëror komunist si “rrugëzgjidhje” për të kapërcyer “krizën”, gjë që nënkupton kolapsin e pashmangshëm të rendit të përgjakshëm komunist. Ai thotë se “ftohja politike e Shqipërisë me Kinën, e cila u shoqërua me prishjen apo ngrirjen e shumë marrëveshjeve ekonomiko-tregtare, anulimin e asistencës ekonomike e financiare, teknike e shkencore etj., do të përshpejtonte krijimin në vend të një gjendjeje të vështirë ekonomike. Ajo nuk mund të kapërcehej nëpërmjet zbatimit të të famshmit slogan enverist “të mbështetjes në forcat e veta”. Udhëheqja shqiptare ishte në kërkim të rrugëzgjidhjeve, sepse realisht situata kishte marrë tiparet e qarta të një krize.”

Duhet të jesh tejet i indoktrinuar të pretendosh në ditët e sotme se ishte “rrugëzgjidhje” veprimi i paskrupullt e i paprecedent i kërkesës shqiptare për shumën e dëmeve të luftës prej okupatorëve gjermanë. Vetëm një “çmenduri” kolektive apo një gjendje katastrofike e pashpresë mund të “fabrikonte” shifra të tilla. Le të citojmë autorin: “Në memorandumin e 28 qershorit (të vitit 1975, shënimi im T. K.), vlera e reparacioneve gjermane ndaj Shqipërisë ishte fiksuar në shumën e 2.006.500.000 dollarëve amerikanë. Asaj i shtoheshin edhe interesat që rridhnin nga mos-shlyerja në kohë e reparacioneve, të cilat ishin llogaritur në 2.559.554.000 dollarë amerikanë të vitit 1938.”

I vetmi moment që do përshëndetur këtu është fakti se autori më në fund jep një shifër të cituar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga dokumentacioni diplomatik i kohës, nga memorandumi përkatës. Por çfarë përfaqësojnë ato shifra, autori bën rolin e të “verbrit”, në të shumtën e herës duke gjetur justifikime, zbutje, anashkalime.

Të bëjmë një llogari përmbledhëse si shkallëzohet mashtrimi në vitin 1975.

Shumat e dëmeve të okupatorëve italianë dhe gjermanë të paraqitura në literaturën shqiptare, përfshirë edhe ato të kryera nga qeveria komuniste me operacionin “zhvatja” në vitin 1975

Dëme të shkaktuara nga: Shuma në franga ari

a-Dëmet gjithsej sipas dokumenteve të Komisionit të Planit të Shtetit të shkaktuara nga okupatorët italianë dhe gjermanë. 4.146.659.211

b-Gjithsej dëmet nga okupatorët italianë dhe gjermanë (të falsifikuara nga Prof. Krisafi) 7.544.332.000

c-Dëmet e shkaktuara nga okupatorët gjermanë me rishikimin piratesk të qeverisë

komuniste në vitin 1975

13.698.162.000

d- Dëmet e shkaktuara nga okupatorët gjermanë me rishikimin piratesk të qeverisë

komuniste në vitin 1975, plus dëmet e fashistëve italiane. (Sipas llogarive të falsifikuara nga Prof. Krisafi)

17.242.494.000

e-Diferenca e shtuar nga ish shteti komunist dhe shkencëtarët e historiografisë komuniste (d-a) 13.095.834.789

Në mënyrë grafike zmadhimin e paprecedent të dëmeve të luftës nga okupatorët italianë dhe gjermanë, pa veçuar ato të luftës civile, e shohim në grafikun që vijon:

Paraqitja grafike e falsifikimit të dëmeve të luftës nga shteti komunist dhe Profesor Krisafi nga vitet 1945-1947 në vitin 1975 (në miliarda franga ari të vitit 1938)

Shifra marramendëse: kërkesë për të “zhvatur” 17 miliardë dollarë amerikanë apo 41,74 miliardë marka gjermane

Sikundër shihet komunistët në pushtet në Shqipëri duket sikur gjetën rastin e zbuluan “lopën” Gjermani, për ta “mjelë” sipas oreksit të tyre. As më shumë e as më pak kërkuan si reparacione së bashku me interesat një shumë marramendëse prej afro 4,6 miliardë dollarësh apo e thënë ndryshe 13,7 miliardë franga ari. Jo vetëm kaq, si më të “zgjuarit” e globit, vunë një prapashtesë se ato ishin dollarë me vlerën që kishin në vitin 1938. Kjo do të thotë që të kthyera me një llogaritje të thjeshtë, me vlerën e dollarit në vitin 1975, arrinin një shumë prej mbi 17 miliardë dollarësh. Nuk mund të bëj më komente për këtë shifër “astronomike” që ndoshta as sot nuk barazohet me vlerën e gjithë aseteve që ka Shqipëria. Kërkesa të tilla, jo vetëm që e bënin, por, duke i përsëritur në vepra shkencore, bëjnë edhe sot qesharak popullin shqiptar për vuajtjen e dëmet reale që ka patur. Ato njëherësh nuk linin asnjë shteg për të përfituar në rrugë ligjore për dëmet vërtet të mëdha, por nënfishin e atyre të paraqitura, kaq të nevojshme për Shqipërinë.

Shifra të tilla do të çorientonin çdo njeri normal, do ta detyronin atë që të mbante qëndrim kritik, pse jo edhe mohues. Por jo, nuk ndodh kjo me Profesor Krisafin. Për të “edhe sikur të ishte e vërtetë”, duhej gjetur një mënyrë “diplomatike” për të kërkuar. Pra, atë e shqetëson forma, jo përmbajtja, pra ai në një mënyrë apo në një tjetër e justifikon shumën duke gjetur frazën “edhe sikur të ishte e vërtetë”. Kështu ai nënvizon se “shuma e avancuar ndaj RF të Gjermanisë ishte në proporcione të ekzagjeruara. Edhe sikur të ishte e vërtetë (theksimi im, TK), ajo nuk linte hapësirë, nuk krijonte terren të përshtatshëm për ulje në tryezën e bisedimeve”.

Jo z. Krisafi, nuk është thjeshtë forma, ajo njihej tashmë se si vepronin diktaturat komuniste. Rëndësi të veçantë kishte përmbajtja, shuma marramendëse e kërkuar si reparacion. Ajo shumë nuk ishte e vërtetë, ishte gënjeshtër. Kjo do denoncuar, jo sikundër veproni ju duke e “kritikuar”, si nën zë. Puna e parë, ju vetë pohoni se dëmet që ishin shkaktuar në natyrë, nuk paraqesin ndonjë ndryshim në vitin 1975 me ato të “dokumentuara” në vitet 1946-1947: “Aneksi i Memorandumit sqaronte se kërkesat shqiptare ishin ato që përmbante Memorandumi i vitit 1947, me disa plotësime të bëra më vonë nga ri-studimi i dokumenteve...”

Por, ndërsa pranon se nuk kishte ndryshime në dëmet e vërtetuara realisht, ke qenë pjesëtar i atij mashtrimi të madh për ri-llogaritjen e dëmeve në vlerë. Dhe, sinqerisht e them, nuk ka rëndësi se çfarë ke qenë, kushdo ndoshta do bëhej pjesëtar. Ajo që më shqetëson është fakti se edhe sot e kësaj dite po e glorifikon atë “zhvatje” të madhe pirateske të shtetit komunist duke u justifikuar, madje me “shkencë”, për “gjoja” përshtatjen me çmimet ndërkombëtare. Nuk kuptoj se ç’do të thuash me këtë. Kjo është vetëm një tymnajë. Dëmet gjithmonë komunistët janë përpjekur t’i paraqesin me vlerën e frangut ar të vitit 1938. Kjo do të thotë që janë përdorur çmimet e vitit 1938, të cilat nuk mund të ndryshonin sipas dëshirës në vitin 1975, me që ju e shokët tuaj ishit në grupin e “ekspertëve” të këtij mashtrimi monstruoz.

Kam përmendur se me të vërtetat e dëmeve të luftës do të merrem një herë tjetër. Por nuk mund të lë pa i dhënë lexuesit shqiptar, pse jo dhe atij të huaj, si qëndron e vërteta me çmimet. Komunistët mashtrimet i nisën që pas ikjes së okupatorëve gjermanë dhe fitores së diktaturës pas Luftës Civile. Ata i frynë e stër-frynë dëmet e luftës, për të përfituar më shumë “lëmosha” në formën e reparacioneve të padrejta, duke shumëfishuar, ndër të tjera, çmimet. Në këtë mënyrë, nuk mbetet më vend për të “rishikuar”, “përshtatur” me çmimet ndërkombëtare sikundër pretendon Krisafi: “përshtatja, më e mirë me çmimet ndërkombëtare të asaj periudhe.” Është absurditet të paraqesësh para opinionit publik “justifikime” të tilla me një absurditet të shkallës më të lartë. Çmimet që pretendojnë komunistët për vitin 1938 ishin stër-zmadhuara. Ja disa shifra për bujqësinë e blegtorinë:

Zmadhimi i çmimeve të vitit 1938 të paraqitura

për dëmet e luftës për të kërkuar reparacione

Lloji

Njësia Çmimet sipas dokumentacionit të kohës për vitin 1938, franga ari Çmimet e paraqitura në dokumentet e

dëmeve të luftës për reparacionet (1938) në franga ari Rritja

në

herë

(B:A)

A B C

Drithëra ton 129,51 2.000,00 15,44

Dhen e dhi krerë 8,00 15,00 1,87

Lopë krerë 50,00 150,00 3,00

Qe krerë 70,00 150,00 2,14

Kuaj krerë 86,00 300,00 3,49

Mushka krerë 120,00 300,00 2,50

Gomerë krerë 25,00 80,00 3,20

Nuk mund të mbrohet akti banditesk komunist me argumente shumë të konsumuara. Çmimet e vitit 1938 të përdorura për të llogaritur dëmet e luftës ishin zmadhuar disa herë në vitet 1945-1947. Sot, çdo qytetar, veçanërisht ai që e rendit veten ndër radhët e shkencës, është i obliguar moralisht, pavarësisht nga përkatësia ideologjike e partiake, të demaskojë atë akt të paprecedent në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe jo të gjejë “absurditete” për justifikim. Shqipëria dhe shqiptarët kanë luftuar dhe do të luftojnë deri më një për të drejtat e tyre të mohuara. Por rruga nuk është pirateria dhe as zhvatja.

Opinioni gjerman, dhe pse jo dhe më gjerë, e quajti sensacionin e ditës kërkesën e komunistëve shqiptarë. Gazeta austriake “Courier”, e datës 26 gusht 1975 shkroi artikullin me titull “Tirana do dhjetë miliardë marka” . Gazeta “Frankfurter Rundshau”, shkroi një artikull që autori Kristafi me mungesën e skrupullit të një komunisti të pandreqshëm e quan “titull sensacional” “Shqipëria kërkon miliarda.” Në të gazeta shkruan “se sa jorealiste është kërkesa shqiptare”. Kështu vepruan shumë gazeta të tjera.

Shumë me kulturë u treguan gazetat gjermane dhe ato të vendeve të tjera. Ato ende nuk kishin në atë kohë as informacionin e plotë dhe as “truket” e komunistëve shqiptarë, që dëmet i llogarisnin me dollarët e vitit 1938, duke kërkuar edhe interesat e munguara. Nga një llogaritje që kam kryer, mbështetur në çmimin e një dollari amerikan në marka gjermane të vitit 1975, del as më shumë e as më pak se kërkesa e komunistëve shqiptarë ishte për 41,74 miliardë marka gjermane. Çmenduri më të madhe nga një shtet në fuqi, qoftë edhe komunist, nuk shpresoj të ketë. Pra, kërkoheshin praktikisht 17 miliardë dollarë apo 41,74 miliardë marka gjermane. Këto shifra ishin të barabarta me produktin shoqëror të Shqipërisë për 10 vjet apo më të ardhurat kombëtare për 22 vjet me nivelin e vitit 1970.

Mbrojtje e dështuar e avokatit komunist për skandalin me shifrat

Kur do të duhet të trajtohen në libra “shkencorë” apo në shtyp këto “bëma” apo veprime “monstruoze” të regjimit komunist, duhet të jemi të përmbajtur, mos bëhemi qesharakë edhe në ditët e sotme. Por krimbi komunist, shumë vetë, edhe “shkencëtarë” nuk i lë. S’mund ta imagjinoj që edhe në këto kushte “skandaloze” të kritikohet shtypi gjerman, sikundër bën z. Krisafi, kur thotë se “ato kishin të njëjtën linjë, mbanin qëndrim identik, merrnin në mbrojtje idenë së kërkesa e qeverisë shqiptare ishte e ekzagjeruar, jo realiste dhe e padrejtë.” Jo zotëri “komunisto-shkencëtar”, kjo nuk ishte as “ide” dhe as thjesht e “ekzagjeruar”, ju si jurist i marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të gjeni termin përkatës, për mua është pirateri shtetërore. Kaq më tepër që i kundërvihet me shumë naivitet qëndrimit negativ gjerman, kur thoni se komentet e “shtypit ishin... pretendimet e avancuara nga ana e qeverisë së Bonit, e cila nuk përjashtohej, ta kishte nxitur vetë këtë fushatë, me qëllim që të përgatiste opinionin publik për përgjigjen negative që do të kthente. Përgjigjja e qeverisë gjermane, që mbërriti më vonë, mbështetej pikërisht në të njëjtat arsyetime, veçse të formuluara jo në stilin publicistik, por me gjuhën e zgjedhur e të kujdesshme diplomatike.”

Për mendimin tim gjermanët janë treguar shumë të përmbajtur ndaj qëndrimeve të tilla pa sensin e masës. Kuptohet që ata nuk mund të pranonin që taksapaguesit gjermanë të mbanin për shumë e shumë vjet në kurrizin e tyre pushtetin kriminel komunist shqiptar. Për më tepër nuk mund të paguanin për krimet e kryera nga nazistët gjermanë për të përjetësuar pushtetin e të njëjtëve kriminelë, por të emërtuar komunistë.

Diku në subkoshiencën e një njeriu që i thotë vetes se merret me “shkencë” z. Krisafi e kupton që ato shifra nuk qëndrojnë, me zë të ulët edhe e pranon. Por ndërgjegjja e një komunisti fanatik të mbushur me dogma fondamentaliste të ideologjisë komuniste e pa parimet e një shoqërie civile, nuk e lejojnë të ecë më tej, ta denoncojë atë veprim që mbetet një njollë për kombin shqiptar. Ndoshta këtu ndikon dhe shkalla shumë e ulët apo injoranca, do të thosha, në perceptimin e shifrave. Profesori kujton se duke deklaruar se shifrat “nuk janë objekt” i studimit, i lan duart. Në të kundërtën, ndërsa qeveria komuniste ishte fajtore për atë krim në kohën kur u krye, ndoshta e detyruar për mbijetesë, z. Krisafi është fajtor sot kur e njeh, e propagandon dhe nuk e denoncon me të gjitha atributet e një krimi.

Duke iu drejtuar subkoshiencës ai duke folur për shtypin përmend se “gazeta pohon një të vërtetë të pamohueshme, e cila ka të bëjë me zmadhimin e shifrave të dëmeve të shkaktuara nga pushtuesit nazistë. Ajo ka të drejtë gjithashtu, kur pohon se ushtritë italiane qëndruan më gjatë në Shqipëri dhe kryen dëme të mëdha në njerëz e materiale.” Nuk duhen vetëm konstatime. Duhet shpjeguar qartë si qëndron problemi. Dhe kur merr përsipër një çështje kaq delikate, sikundër janë dëmet e luftës dhe reparacionet përkatëse, këto nuk bëhen pa shifra, pa numra, pa u mbështetur në dokumentet e origjinës. Madje duke mbajtur qëndrim kritik e logjik, duhen bërë rillogaritje. Në të kundërtën, një autor i një vepre të tillë bëhet bashkëpunëtor në krim, bashkë-falsifikator i historisë.

Kërcënime prej “kauboji” në mbrojtje të “zhvatjes” së shtetit komunist

Qeveria komuniste shqiptare, e mbërthyer me “lakun në fyt” që e çonte ekonominë e quajtur socialiste drejt kolapsit dhe atrofizimit, në situatën e një organizmi që po jepte shpirt, kishte dalë në botë si një “kauboj me kobure në dorë”, por me barut të lagur, duke kërcënuar për të marrë ato që “nuk i takonin”. Ministri Nesti Naste deklaronte: “Ashtu si ju nuk pranoni kushte, dhe ne nuk pranojmë kushte.” Të njëjtën gjë bënte ambasada e Shqipërisë në Beograd, në përgjigjen e notës gjermane të 27 tetorit 1975, ku shkruante se “qeveria e RF të Gjermanisë të mos mendojë që, meqenëse Shqipëria është një vend i vogël, ajo mund t’ia mohojë asaj këto të drejta. Ajo duhet të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë sa më parë masat përkatëse për t’i shlyer RPSH reparacionet e luftës.” Pra, ose 41,74 miliardë marka gjermane dëmshpërblim ose...??? Me gjithë këto kërcënime të hapura për kërkesa, pjesa dërmuese e të cilave ishte “vjedhje” apo pirateri, Profesor Krisafi gjen vend për t’i justifikuar komunistët tanë. Ai thotë: “Ky fjalor, edhe pse mund të justifikohet nga nevojat e konsumit të brendshëm, si arsenal propagandistik drejtuar një populli të lodhur, të varfëruar e të pashpresë, siç ishte populli shqiptar në atë kohë, tingëllonte sidoqoftë i papranueshëm dhe larg parametrave të etikës diplomatike në marrëdhëniet me një shtet tjetër.”

Profesor, si mund ta justifikosh me “konsumin e brendshëm” këtë qëndrim, pa demaskuar thelbin e piraterisë? Nga ana tjetër keni të drejtë kur thoni se ato i drejtoheshin “një populli të lodhur, të varfëruar e të pashpresë”, por në atë gjendje në vitin 1975 popullin shqiptar nuk e çoi populli demokratik gjerman, por, sikundër e dimë të gjithë, e çoi regjimi komunist, krimet që po kryheshin çdo ditë e më shumë, lufta e klasave, kolektivizimi në formën e “gulagëve” rusë, tufëzimi i bagëtisë, deri shpendëve, politika e mbështetjes “tërësisht në forcat e veta”, pa përmendur “bëmat” e tjera. Pra, pse përpiqesh që atë gjendje të mjeruar t’ia faturosh të tjerëve dhe jo vetë rendit komunist? Pse na flet për parametra të “etikës diplomatike”, kur vetë thelbi i kërkesave ishte jashtë çdo logjike më minimale e normale, ishte kërkesë e tipit të “zhvatjes”? Pse, kështu do të mbahej në këmbë ai rend, për të cilin përgjëroheni dhe përqendroni të gjithë arsenalin tuaj “shkencor” për ta mbrojtur?

Për nga profesioni ju jeni jurist, përse nuk shpjegoni në libër se pse nuk mund të hidhej në Hagë kërkesa prej disa miliardash e Shqipërisë, kërkesë e paargumentuar, kërkesë e tipit “zhvatës” prej 17 miliardë dollarësh amerikanë apo 41,74 miliardë markash gjermane? Në libër na përmend pyetjen që bën diktatori Hoxha “nëse ishte e mundur që zgjidhja të realizohej duke iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (GJND)”. Gjetët vetëm shkaqe procedurale që e bënin të pamundur këtë kërkesë? Po a ishte e drejtë një kërkesë e përmasave të tilla? Dhe, nëse ndodhte, kush do të ishte në bankën e të akuzuarve? Unë mendoj se jo Gjermania. Në bankën e të akuzuarve do të duhej të vihej regjimi totalitar komunist shqiptar për ato kërkesa jashtë standardeve më minimale në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kështu do të skualifikoheshin, ashtu sikundër i skualifikoi koha, edhe kërkesat e drejta për reparacione të shtetit fitimtar shqiptar ndaj dëmeve të nazistëve gjermanë.

Komunistët nuk kanë parime, vetëm slogane. Mashtrimi i madh

Kur komunistët diktuan se shifrat marramendëse të kërkuara nuk kishin asnjë shans për “dritë jeshile”, gjë që ishte krejt e natyrshme, ndërruan taktikë. Kërkesa e tyre shoqëruar me kërcënime prej “tigri letre”, për të ruajtur “parimet” e sanksionuara në Kushtetutën e vitit 1976 për të mos marrë ndihma e kredi e të tjera mashtrime të këtij lloji, u kthye në një politikë “lajkash” e mashtrimi të një lloji tjetër. Këtë radhë duke mashtruar jo gjermanët, por vetveten dhe popullin shqiptar që kishin nën thundër.

Enver Hoxha porosiste se gjermanëve “mund t’iu bëhej edhe një kompliment, duke u thëne së “ne kemi besim te populli gjerman, pavarësisht se na ka bërë të këqija, madje shumë të rënda, por ata gjermanë që na i kanë bërë këto ishin hitlerianë.”

Një grupim kriminel, siç ishin komunistët në pushtet, nuk kishin dhe nuk kish se si të kishin parime, ato ishin krejt formale dhe për qëllime të caktuara propagandistike.

Kjo u duk qartë edhe në problemin e reparacioneve të luftës. Jo vetëm u reduktua e u cungua shifra që ishte menduar për të “zhvatur” nga gjermanët, por po projektoheshin manovra të tilla që të garantonin gjithsesi “një grusht me pará”, qoftë për të shtyrë disi kolapsin e pashmangshëm ekonomik e mandej politik e ideologjik.

Krisafit i vjen “keq”, sa nuk do t’i përpijë ata që u përpoqën pa i marrë mendimin “Profesorit” të mos zbatonin “porositë” e “udhëheqësit të madh” Hoxha. Në libër ai pa iu vrarë ndërgjegjja shkruan se “krejtësisht i pakuptueshëm, i pashpjegueshëm dhe njëkohësisht i papranueshëm ishte refuzimi për të vepruar sipas sugjerimit të atij që e kishte projektuar gjithë korpusin politik e juridik të pengesave të zgjidhjes së çështjes, Enver Hoxhës... ai duket e kuptoi se strategjia e zgjedhur prej tij, nuk kishte shanse për rezultate pozitive. Prandaj e rishikoi...”

Cila ishte zgjidhja e “re” që propozonte Hoxha? E njëjta vjedhje, veçse me mashtrime të natyrës tjetër. Le të na i japin ndihmat, ne i quajmë ato reparacione, pala gjermane le t’i quajë ndihma. Mashtrimet vijnë në mënyrë të shkallëzuar dhe dora-dorës kalojnë nga mashtrimi i popullit gjerman në mashtrimin e popullit shqiptar dhe të opinionit botëror. Profesor Krisafit i pëlqen të përmendë porosinë e Hoxhës: “Ju (gjermanët, shënim i Krisafit), në arkivat tuaja shkruani si të doni, shkruani që i dhatë ndihmë Shqipërisë. Neve kjo s’na hyn në punë, sepse ndonjë firmë të ndonjë përfaqësuesi të shtetit shqiptar nuk ka, që të vërtetojë se Shqipëria ka marrë ndihmë nga Gjermania... Pra, për veten tuaj ju thoni po të doni se i keni dhënë Shqipërisë një kredi prej kaq qindra miliona markash në një datë të papërcaktuar, futeni një dokument të tillë në arkivat tuaja...”

Nuk di, nëse mund të ketë në ditët e sotme diplomat, jurist apo qoftë edhe “shkencëtar” tjetër si puna e z Krisafi që të përgjërohet për zgjidhje të tilla mashtruese. Ai pa skrupull shkruan se “porosia” e Hoxhës “ishte një visto e mjaftueshme për të ecur në këtë rrugë... Pala shqiptare do t’i konsideronte reparacione shumat që pala gjermane mund të jepte në formë kredish, ndihmash apo formash të tjera, kurse ajo vetë mund t’iu vinte çfarëdo emërtimi.”

“Shans i fituar” jo “shans i humbur”

Profesor Krisafi dhe Asistent Profesori Kaba i quajnë “shanse të humbura” mundësitë që kishte shteti shqiptar për të përfituar nga reparacionet për dëmet e luftës së shkaktuara nga okupatori gjerman. Mendimi im është i kundërt. Shqipëria nuk humbi asnjë shans. Në të kundërtën. Me qëndrimet jo thjesht megalomane, por pirateske, duke pretenduar shifra astronomike reparacionesh, opinioni botëror e pa me lente të zmadhuar natyrën kriminele të rendit komunist. Kjo i detyroi gjermanët, jo vetëm të shikonin me mos përfillje kërkesat me natyrë “zhvatëse”, por, duke përfituar nga rasti, mënjanuan edhe ato kërkesa që në thelb ishin të drejta.

Kjo ishte ndër faktorët themelorë që nuk ndikoi në zgjatjen e rendit komunist në Shqipëri - pra ishte një “shans i fituar” për popullin shqiptar. Me bindje them se përjashtimi i Shqipërisë nga “reparacionet” në ato vite të krizës dhe kolapsit, shpejtoi ditët e përmbysjes së madhe dhe fitoren e rendit demokratik.

Ende Profesori nuk e kupton këtë ogur të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ende në veprën që citojmë ai ngre pyetjen: “Përse u harxhuan gjithë këto vite, kur rezultati në çështjen e reparacioneve, një e drejtë e pamohueshme e popullit shqiptar, u reduktua pothuajse në asgjë?” Vetë ai i përgjigjet pyetjes që shtroi: “Vështirë të identifikosh një përgjigje të saktë. Por mund të thuhet se, përveç shkaqeve të natyrës politike që buronin nga qëndrimet standarde, dogmatike, të ideologjizuara deri në ekstrem të udhëheqjes shqiptare të asaj kohe, kanë ndikuar pa tjetër edhe paaftësia profesionale dhe një ndjenjë e dukshme fodullëku dhe megalomanie e individëve të caktuar në delegacionin shqiptar.”

Si gjithmonë përgjigje e gabuar dhe megalomane. Shkak për gjithë dështimet ishin kërkesat pirateske të shtetit kriminel komunist shqiptar. Të tjerat janë anësore, plotësuese. Përgjegjësia binte mbi atë rend të kalbur me ditë të numëruara.

Për qëndrimin monstruoz të shtetit komunist më është dashur dhe mua të bëj autokritikë në një moment të caktuar. Të them të vërtetën nuk e kam ndjerë veten më ngushtë se sa në takimin me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri. Ishte viti 1991. Me propozimin e zotit Sabri Godo, në atë kohë kryetar i Partisë Republikane, kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, z. Ylli Bufi, vendosi që vizitën e parë jashtë vendit ta bënte në Gjermani. Nuk di arsyen, por duke kapërcyer organet që merreshin me marrëdhëniet me jashtë, sikundër ishte Ministria e Jashtme, ndoshta për të shmangur ndikimin e Ramiz Alisë, në atë kohë ende president i vendit dhe me ndikim në Partinë Socialiste, më ngarkoi mua për t’u marrë vesh me palën gjermane. Në atë kohë rasti e solli që unë të isha në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave në Qeverinë e Stabilitetit.

Duke i shpjeguar të ngarkuarit më punë të ambasadës gjermane arsyet pse kryetari i qeverisë së një vendi në tranzicion demokratik kërkonte që vizitën e parë jashtë Shqipërisë mos ta bënte në vendet fqinje, për shkak të moskuptimeve eventuale, i kërkova që ta bënte në Gjermani. Nuk është rasti të përmend një varg arsyesh. Por, gjithsesi u ndjeva në vështirësi të mëdha, me një ndjenje turpi për refuzimin e dorës miqësore të popullit gjerman nëpërmjet zotit Shtraus. Njëherësh kërkova të falur për kërkesat jashtë çdo standardi dhe logjike ekonomike të shtetit të përmbysur komunist për reparacionet dhe lojën e fjalëve që u përdor në këtë rast.

Me gjithë dashamirësinë e qeverisë federale gjermane, përsëri u ndje ende “ndikimi” i marrëdhënieve të periudhës së viteve ’70-‘80. I ngarkuari me pune i ambasadës së Republikës Federale Gjermane, sa hyri në derën e zyrës, jashtë çdo qëndrimi protokollar tha me dashamirësi dhe entuziazëm: “Përgjigjja është më shumë pozitive se negative”. Me këtë nënkuptova se do të rridhte ende shumë ujë që marrëdhëniet mos kishin shijen e hidhur të shtetit komunist. U pranua në parim, por me disa kushte të “vogla”. Kushte që kërkonin kohë që pala shqiptare nuk e kishte, sepse duheshin krijuar kontakte me botën.

Fund

Troy, Michigan, 10 shtator, 2009

1. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 268.

2. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 63.

3. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 69-70.

4. Hamit Kaba, Dëmshpërblimet gjermane të Luftës së Dytë Botërore ndaj Shqipërisë (1945-1990), në “Studime Historike”, Nr. 3-4, 2001, faqe 173.

5. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 267.

6. Po aty, faqe 268. Cituar: AMPJ, F.IARA, D. Nr. 17, v. 1975, Memorandumi i qeverisë shqiptare, datë 28 qershor 1975, drejtuar qeverisë gjermane mbi reparacionet e luftës.

7. Në vitin 1975 “fuqia blerëse” ishte 3,82 dollarë të vitit 1975 në krahasim me 1 dollar të vitit 1938. Sipas “Measuring Worth”, 2009, të autorëve Lawrence H. Officer dhe Samuel H. Williamson me titull “Purchasing Power of Money in the Unitet States from 1774 to 2008”

8. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 268.

9. Po aty, faqe 243.

10. Po aty.

11. AQSH, F. 898, v. 1945, D. 20, faqe 6

12. AQH, Dosja A, dokument i cituar i Komisionit të Planit të Shtetit, faqe 29.

13. Statistika e prodhimeve bujqësore në vitin 1938-XVI, Shtypshkronja “Shkodra” - Tiranë, 1939, faqe 6.

14. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 244, cituar: Gazeta austriake “Courier”, e datës 26 gusht 1975, kupyrë shtypi e depozituar në AMPJ, EIARA, D, Nr. 17, v. 1975.

15. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 268, Gazeta Frankfurter Rundshau, gusht 1975, kupyrë shtypi e depozituar në AMPJ, EIARA, D, Nr. 17, v. 1975.

16. Po aty

17. Ne vitin 1975 “fuqia blerëse” apo koeficienti i këmbimit ishte 2,455 Deutsche mark të vitit 1975 në krahasim me 1 dollar amerikan po të vitit 1975. Sipas “Measuring Worth”, 2009, të autorëve Lawrence H. Officer dhe Samuel H. Williamson me titull “Exchange Rates Between the United States Dollar and Forty-one Currencies”.

18. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 244.

19. Po aty.

20. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 246.

21. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 284.

22. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 270.

23. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 270-271.

24. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 274. Citohet: Enver Hoxha, Ditar për çështje ndërkombëtare (1978), vëllimi 11, Tiranë 1984, ff. 305-306.

25. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 300. Citohet: AMPJ, F. Reparacionet gjermane, D. 17, viti 1984, informacioni “Mbi përgatitjet për bisedimet zyrtare me Republikën Federale të Gjermanisë lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve tona”.

26. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 346.

27. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 346. Citohet: AMPJ, F. Reparacionet gjermane, D. 17, viti 1984, informacioni “Mbi përgatitjet për bisedimet zyrtare me Republikën Federale të Gjermanisë lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve tona”.

28. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 346-347.

29. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 347.

30. Prof. Dok. K. Krisafi, libër i cituar, faqe 347-348.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›