E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e vitit 2001, Meta në krye të operacionit më të madh për manipulimet zgjedhoreNga TemaPas rënies së zgjedhjeve të vitit 1996 dhe kolapsit të vitit 1997, misioni vëzhgues i ODIHR e kishte të qartë se politikanët e këtij vendi vetëm zgjedhje

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Zgjedhjet e vitit 2001, Meta në krye të operacionit më të madh për manipulimet zgjedhoreNga Tema

Pas rënies së zgjedhjeve të vitit 1996 dhe kolapsit të vitit 1997, misioni vëzhgues i ODIHR e kishte të qartë se politikanët e këtij vendi vetëm zgjedhje të lira nuk donin të bënin. Nis kështu një periudhë tolerimesh, zgjedhjet fillojnë të quhen një hap përpara, edhe pse më poshtë në çdo raport listohen shkelje skandaloze. Kështu ndodh me zgjedhjet e vitit 1997, që quhen të pranueshme, e vijon vlerësimi “një hap përpara” me zgjedhjet e vitit 2000, të drejtuara nga Ilir Meta. Por kulmi i abuzimeve zgjedhore vjen në vitin 2001, me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Meta, atëkohë kryeministër, drejton një operacion të madh të shkatërrimit të procesit zgjedhor dhe kundërshtarit.

Vëzhguesit ndërkombëtarë e publikojnë raportin me vonesë. Ata theksojnë se kjo është bërë, për shkak se opozita kishte paraqitur një dosje me pretendime, të cilat ishin hetuar më tej. Dhe meqenëse vendi dukej se ishte klasifikuar te grupi i shteteve ku pushteti nuk lëshohet me zgjedhje dhe ku ekuilibrat janë delikatë, atëherë dhe ODIHR lëshon fjalinë “magjike”: “Me gjithë këto shqetësime, nuk ishte fitorja e PS në këto zgjedhje që u vu në dyshim, por vetëm gjerësia e kësaj fitoreje”.

Fjalia e mësipërme mori shumë kritika, për shkak se ishte një mbështetje shumë e fortë për manipuluesit. Meta kishte arritur të nënshtronte çdo skutë të shtetit për t’i manipuluar këto zgjedhje. Kishte ndërtuar një KQZ grabitqare, përdorte gjithë mekanizmat e pushtetit vendor, policinë e kishte lëshuar rrugëve për të bërë presion e për të mbushur kutitë, por mbi të gjitha, kishte “përdhunuar” Gjykatën Kushtetuese, e cila dha vendime skandaloze për apelimet zgjedhore.

Përmbledhja e mëposhtme e raportit tregon qartë se sa i dashuruar me zgjedhjet e lira është Meta. Njeriu që përdori më shumë se të gjithë antiopozitarizmin, e nis fushatën zgjedhore duke përdorur partinë e Pollos për t’iu marrë siglën demokratëve dhe ia arrin me sukses kësaj.

Përmbledhja e shkeljeve flagrante mbyllet me një fjali: “Një kandidat i pavarur, Agron Duka, u zgjodh në Zonën 25, ku vëzhguesit verifikuan raste mashtrimi”. Bëhet fjalë për atë që Berisha e quante anëtar të Klanit të Zemunit. Tanimë Berisha ka gjetur paqen me ta, për shkak se koka e këtij klani do i japë votën pro në parlament

Përmbledhje e raportit të ODIHR për zgjedhjet e vitit 2001

- Partitë politike përfituan nga e drejta e tyre për të paraqitur qëndrimet gjatë seancave të KQZ dhe në disa raste pikëpamjet e tyre u morën parasysh. Megjithatë, mënyra se si KQZ trajtoi ankesat kryesore zgjedhore nuk ishte gjithmonë e mjaftueshme. Si pasojë, partitë dhe kandidatët kërkuan zgjidhje te gjykatat. Trysnia politike e ushtruar nga udhëheqja e PS, në disa raste, dukej sikur e kompromentonte veprimtarinë e KQZ.

- Kryetari i KQZ kërkoi një qëndrim kolegjial ndaj vendimmarrjes, e cila ishte vetëm pjesërisht e suksesshme. KQZ ishte e përçarë për shumë çështje të rëndësishme dhe disa vendime u morën me votën e shumicës, duke mposhtur një opinion mjaft të fortë të pakicës.

- KQZ u tregua aktive, mblidhej rregullisht dhe miratoi rreth 47 udhëzime dhe një numër të madh vendimesh. Megjithatë, axhendat e seancave dhe dokumentet përkatëse, shpesh, nuk shpërndaheshin përpara takimeve dhe u morën disa vendime të rëndësishme në takime jozyrtare.

- Komunikimi midis KQZ dhe KZZ-ve kalonte shpesh nëpërmjet organeve të qeverisjes vendore, gjë e cila dobësonte fshehtësinë e të dhënave dhe krijonte mundësinë e ushtrimit të një ndikimi të padrejtë mbi KZZ-të. Pas ndryshimeve në kufijtë e zonave zgjedhore në fillim të vitit 2001, disa prej KZZ-ve ishin të paqarta lidhur me përbërjen e saktë territoriale të zonave të tyre. Kjo krijoi pështjellim lidhur me krijimin e qendrave të votimit, emërimin e KQV-ve, dhe korrigjimin e shpalljen e listave të votuesve

- Para raundit të parë, lindi një konflikt ligjor midis Partisë Demokratike dhe partisë së shkëputur prej saj të quajtur Partia Demokrate për përdorimin e shkronjave nistore dhe stemës. Të dyja partitë pretendonin pronësinë mbi shkronjat nistore “PD”, dhe të drejtën e përdorimit të këtyre shkronjave nistore në fletën e votimit. Më 29 maj, përpara se të shtypeshin fletët e votimit, Gjykata e Apelit të Tiranës i dha Partisë Demokrate të drejtën ekskluzive për shkronjat nistore “PD” dhe vendosi se KQZ kishte gabuar kur plotësoi kërkesën e Partisë Demokratike për të përfshirë shkronjat nistore “PD” në fletën e votimit përkrah atyre të BF. Megjithatë, Partia Demokrate nuk arriti të sigurojë në kohë një “urdhër ekzekutiv” para fillimit të shtypjes së fletëve të votimit dhe fletët e votimit u shtypën më 8 qershor me shkronja nistore “PD”, si për Partinë Demokrate, ashtu edhe për BF.

- Gjatë vitit 2000, autoritetet shqiptare, me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, ndërmorën krijimin e një regjistri kombëtar votuesish të kompjuterizuar. Edhe pse kjo shënon një hap domethënës për të afruar më tej vendin me praktikat evropiane në përcaktimin e së drejtës së zgjedhësve për të votuar, përsëri mbetën mangësi, përfshirë rekorde të dubluara ose rekorde që mungonin, rekorde të caktuara në qendrën e gabuar të votimit, procesverbale me datëlindje të pasakta, dhe gabime të tjera të dhënash.

- Për të dhënë më tepër siguri shtetasve për ushtrimin e së drejtës për të votuar, në maj të vitit 2001, u amendua Kodi Zgjedhor për të lejuar shtetasit me të drejtë votimi të rifreskonin të dhënat e tyre në regjistrin e votuesve deri në 24 orë përpara ditës së zgjedhjeve duke apeluar në gjykatat e rretheve. Megjithatë, kërkoheshin tri certifikata për të vërtetuar të drejtën e votës dhe si përfundim, numri i rasteve të apelimit në gjykata ishte modest. Një faktor tjetër për gabimet që mbetën për një kohë të gjatë në regjistrat e votuesve ishte mos-njoftimi në kohën e duhur apo fare, nga një pjese e madhe e popullsisë, për ndryshimet në vendqëndrimet e përhershme ose në mënyrë më të përgjithshme mosbindja ndaj procedurave ekzistuese të regjistrimit civil.

- OSBE/ODIHR vazhdoi të merrte ankesa se një numër i lartë votuesish u la qëllimisht jashtë regjistrave të votuesve. Gjithashtu, pati prova për shmangie të tepruara në numrin e votuesve të regjistruar në zonat 1-emërore më tepër se 5%-shi i rekomanduar.

- TVSH i caktoi PS 30% të kohës kushtuar politikës dhe zgjedhjeve, 17% qeverisë, 24% BF dhe pjesa e mbetur prej 29% partive të vogla. Toni i pasqyrimit ishte ose politikisht i paanshëm, ose pozitiv për të gjithë konkurrentët. Megjithatë, gjatë ditëve të fundit të fushatës përpara raundit të parë, pasqyrimi dhe toni ishin më të njëanshëm në favor të PS. Ndërmjet raundit të parë dhe të dytë, TVSH nuk arriti të përmbushë përgjegjësitë e veta si transmetues publik, dhe i kushtoi 40% të pasqyrimit politik PS, dhe vetëm 11% BF. Në mënyrë domethënëse, pasqyrimi i PS ishte pozitiv, ndërsa pjesa më e madhe për BF-në ishte një pasqyrim i paanshëm.

- Gjatë raundit të parë të votimit në 24 qershor, pati incidente të izoluara, por domethënës të ushtrimit të presionit dhe të ndërhyrjes nga ana e policisë dhe të autoriteteve vendore. Disa prej këtyre incidenteve përfshinin veprime në favor të kandidatëve të partisë qeverisëse. Në shumë raste, u raportua një prani e tepruar e policisë dhe në disa raste u vërejt se policia u soll në një mënyrë të papërshtatshme dhe të njëanshme. Gjithashtu, u vërejtën civilë të armatosur, si p.sh. në Zonën 18.

- Në disa raste të rralla, policia u përfshi në manipulimin e materialeve zgjedhore. Për shembull, në Zonën 49, një vëzhgues ndërkombëtar njoftoi për mbushjen e kutive të votimit me fletë votimi nga policia në KQV-në 46 gjatë pasdites. Zyrtarët zgjedhorë përkatës e konfirmuan incidentin. E njëjta qendër votimi u bë përsëri problematike më 22 korrik. Në Zonën 19 një oficer madhor policie i mohoi vëzhguesit të OSBE/ODIHR hyrjen në KZZ. Më 23 qershor në Zonën 60, policia ndërpreu shpërndarjen e materialeve zgjedhore me kërkesë të zëvendës/kryetarit të KZZ të PS. Një oficer madhor policie e konfirmoi këtë incident tek një vëzhgues ndërkombëtar.

- Disa shkelje serioze krijuan shqetësim, duke përfshirë mbushjen e kutive të votimit që u raportua në Zonat 25 dhe 28, raste të fletëve të votimit të parashenjuara u zbuluan në Zonat 25, 60 dhe 61. Në Zonën 22, në të vetmen qendër votimi që nuk arriti të zhvillonte votimin në raundin e parë, një bojkot nga 3 anëtarë të KQV, përfshirë anëtarin e PS, u pasua nga prishja e veprimeve të votimit nga një njeri i armatosur. Si pasojë, i njëjti individ propozohet nga PS si përfaqësues i tyre në KQV për përsëritjen e votimit më 22 korrik, ndonëse më vonë emri i tij u tërhoq.

- KQZ vendosi të shpallë të pavlefshme rezultatet në zonën 49, për shkak të parregullsive serioze, që përfshinin raportimin nga qendrat e votimit të një pjesëmarrjeje në votim më shumë se 100% dhe një mungese të procesverbaleve të besueshme. Gjithashtu, vëzhguesit vendas njoftuan për një numër shkeljesh serioze në këtë zonë më 8 korrik. Bazuar në procesverbalin e KZZ, kandidati i PS fitoi 82% të votave, një rezultat i dyshimtë ky nëse e krahasojmë me votimin e raundit të parë, kur ai fitoi 46% në krahasim me 37% nga kandidati i BF.

- Gjatë raundit të dytë, pati një prani mjaft të dukshme të policisë gjatë ditës së votimit dhe, pati raste ndërhyrjeje në procesin zgjedhor. Disa nga këto ndërhyrje ishin serioze si në rastin kur policia mori me vete në mënyrë të pajustifikueshme një kuti votimi në një qendër votimi në Zonën 35. Gjithashtu, ishin shqetësuese njoftimet që pretendonin për kërcënime dhe ndalime nga policia të disa anëtarëve të KZZ-ve dhe KQV-ve, kryesisht nga ana e PD.

- Zgjedhjet u përsëritën në 11 zona në raundin e tretë, më 22 korrik. U njoftuan shkelje serioze në një numër qendrash votimi. Këto përfshinin mbushje të kutive të votimit nga ana e anëtarëve të komisioneve në të vetmen qendër votimi ku u zhvilluan zgjedhjet në Zonën 22, ku deri në orën 17:00, kur qendra e votimit u mbyll herët, 98% të votuesve me të drejtë vote u regjistruan sikur kishin votuar, pavarësisht se vëzhguesit dëshmuan për një pjesëmarrje të paktë.

- Gjithashtu, u raportua mbushja e kutive nga një anëtar i komisionit në KQV-në 202 të Zonës 40, ku u shty votimi për një farë kohe, pasi u zbulua se kishte pesë fletë votimi më tepër se sa nënshkrime në listën e votuesve. Në një qendër votimi në Zonën 4, nuk mund të kishte pasur një proces zgjedhor të ligjshëm sipas kërkesës së Kodit Zgjedhor, përderisa qendra e votimit nuk u hap deri në orën 15:00. Megjithatë, më vonë, vëzhguesit dëshmuan se anëtarë të komisionit nga kjo qendër votimi mbërritën në KZZ më një kuti votimi që përmbante 290 fletë votimi. KQZ vendosi të përsëriste votimin në të gjitha qendrat e votimit në Zonën 49, por Gjykata Kushtetuese vendosi të kufizojë numrin e qendrave të votimit ku do të përsëriteshin zgjedhjet. Për pasojë, në prag të raundit të tretë, BF vendosi të bojkotonte zgjedhjet në këtë zonë. Vëzhguesit njoftuan për probleme në këtë zonë gjatë votimit më 22 korrik, duke përfshirë nënshkrime të dyshimta në regjistrin e votuesve në KQV-në 46.

- Më 22 korrik gjatë raundit të tretë, në një incident serioz në KQV-në 14 të Zonës 2, vëzhguesit mbërritën pranë qendrës së votimit në 15:45 dhe zbuluan se kishte filluar numërimi i votave dhe se ky proces po drejtohej nga një njeri i armatosur, i cili nuk ishte anëtar i KQV.

- Gjithashtu, më 22 korrik, në një incident tjetër serioz në Zonën 4, Sekretari i KZZ i kërkoi një vëzhguesi të dorëzonte përsëri procesverbalin e marrë nga KQV 2 në këtë zonë.

- Gjatë raundit të parë, pasqyrimi i rezultateve ngjalli shqetësime serioze në një numër zonash. KZZ e Zonës 40 e pranoi procesverbalin e rezultateve të një qendre votimi të paraqitur nga përfaqësuesi i PS, në vend të procesverbalit të rezultateve që gjendej në kutinë e votimit. KZZ e Zonës 11 i paraqiti KQZ dy procesverbale nga zona, ku njëri tregonte fitoren në raundin e parë për PS dhe tjetri tregonte nevojën e një raundi të dytë. Procesverbale të kundërta për të njëjtën qendër votimi si dhe parregullsi të tjera ngjallin shqetësim në lidhje me pasqyrimin e rezultateve në zgjedhjet 1-emërore në Zonat 19, 24, 25, 33, 40 dhe 67. Në secilin prej këtyre rasteve, procesverbalet e ndryshme, pasojë e manipulimit të procesverbaleve të KQV-ve, jepnin rezultate të ndryshuara. Procesverbali i rezultateve të KZZ në Zonën 33 nuk pasqyronte rezultatin e KQV 50 të regjistruar nga një vëzhgues i MVZ gjatë numërimit të votave.

- Integriteti i rezultatit proporcional në shkallë vendi nga zgjedhjet e 24 qershorit ishte përgjithësisht i pranueshëm, megjithëse kishte disa raste që ngjallën shqetësim. BF paraqiti procesverbale nga një numër i KQV-ve të Zonës 33, duke përfshirë një formular pasqyrimi të një KZZ-je që tregonte se sasi të vogla votash ishin transferuar në favor të PAD duke manipuluar me procesverbalet. Një përfaqësues i PS u ankua zyrtarisht se, në Zonën 13, votat për PS ishin rindarë në favor të PA. Formularët e pasqyrimit, për Zonën 13 mund të gjenden pranë KQZ dhe ndryshojnë nga ato të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me apelimin ndaj rezultatit të votimit më 24 qershor. Ndërkohë që faqja e parë e dokumentit të paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nuk është plotësuar fare, faqja e parë e atij që pretendohet se është i njëjti dokument paraqitur KQZ është i plotësuar, por shifrat e pjesëmarrjes nuk kuadrojnë, në disa raste, në mënyrë domethënëse.

- Më 22 korrik, pas një debati të zgjatur, KQZ filloi procesin e përllogaritjes të rezultatit për Zonën 60, duke hapur kutitë e votimit, duke nxjerrë procesverbalet dhe duke mbledhur rezultatet individuale. KQZ vendosi përsëritjen e zgjedhjeve në gjashtë qendra votimi për arsye të parregullsive, si dhe në dy qendra votimi ku zgjedhjet nuk ishin zhvilluar. Sipas dokumenteve të KQZ, të cilat regjistronin materialet e gjetura në kuti, 25 kuti votimi nuk përmbanin procesverbalet e rezultateve për konkurrimin proporcional. KQZ vërejti gjithashtu parregullsi të tjera të rënda. Këto përfshinë 27 kuti votimi të cilave u mungonte numri i qendrës së votimit përkatëse, kuti votimi të pavulosura, zarfe të hapura me fletë votimit të përdorura, lista votuesish si dhe fletë votimi të vlefshme që mungonin. Gjithsesi, KQZ ishte e vendosur të shpallte një rezultat për këtë zonë, pra përdori të gjitha procesverbalet që dispononte, duke përfshirë edhe ato të dyshimta dhe me një origjinë të paqartë për të përllogaritur një rezultat përfundimtar. Rezultati i zgjedhjeve për proporcionalin në këtë zonë i ngriti PBDNj, PAD, dhe PA mbi pragun 2,5% dhe i futi në Kuvend me nga tre vende secila.

- Disa konkurrime në raundin e dytë u përcaktuan me diferencë të ngushtë, ku numri i fletëve të votimit të quajtura të pavlefshme, në disa raste, ishte më i madh sesa marzhi i fitores. Pas raundit të dytë, gjykatat e faktit në pesë zona filluan rinumërimin e fletëve të votimit, ashtu siç përcaktohet në Kodin Zgjedhor. Rezultatet në tri nga këto zona ngjallën shqetësime. Në zonën 29, gjykata lokale e faktit nuk arriti të kontrollonte imtësisht fletët e votimit të shpallura të pavlefshme nga KQV-të, shpërfilli udhëzimin e KQZ se si duhet të përcaktohet vlefshmëria e fletës së votimit, si dhe shpërfilli dispozitat e nenit 106 të Kodit Zgjedhor për rinumërimin. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese nuk arriti të hetonte në mënyrë të mjaftueshme lidhur me këtë rast dhe, për pasojë, ka dyshime për rezultatin e zgjedhjeve. Përveç kësaj, njoftime të besueshme për një kërcënim nga një deputet i PS ndaj një kandidati të BF nuk u hetuan plotësisht nga autoritetet.

- Më ose pas 22 korrikut u zhvilluan dymbëdhjetë zgjedhje të plota apo të pjesshme, prej të cilave opozita vuri në pikëpyetje rezultatet në 8 zona. 0OSBE/ODIHR ka shqetësime specifike në lidhje me mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve, ose me procesin e apelimit në Zonat 2, 13, 49 dhe në ashtu siç e kemi specifikuar më lart, Zona 60. Përveç kësaj, nuk u krye asnjë herë rinumërimi në Zonën 14 ashtu siç u kërkua nga BF, dhe në Zonën 18, ku BF ngre pretendime për një sërë shkeljesh zgjedhore, që ndikuan në rezultatin përfundimtar

- Disa zona ku u pretenduan ose u vëzhguan parregullsi përfshinin elektorate të ndjeshme politikisht ku kandidonin politikanë të sprovuar. KQZ ishte e përçarë për disa nga këto raste tepër të debatuara dhe duket se ra nën një trysni politike të pamerituar, që çoi në akuza të besueshme se disa mandate nuk u ndanë në mënyrë të drejtë apo korrekte dhe se disa konkurrime të raundit të dytë që duhet të zhvilloheshin u shmangën. Në dy raste, KQZ u takua me anëtarët e KZZ me dyer të mbyllura, në kundërshtim të hapur me Kodin Zgjedhor. Në disa raste rezultatet që vinin nga zonat e diskutueshme përcaktoheshin gjatë seancave të KQZ gjatë orëve të vona të natës, duke ndikuar negativisht mbi transparencën e procesit.

- Pas zgjedhjeve të 24 qershorit, u depozituan 28 raste në Gjykatën Kushtetuese, vetëm 12 prej të cilave u zgjidhën gjatë raundit të dytë më 8 korrik. Pas raundit të dytë, u depozituan nëntë çështje të tjera. Në shumë raste, Gjykata vendosi përfundimisht mbi rezultatet e zgjedhjeve. Megjithatë, vendimet e Gjykatës nuk bazoheshin gjithmonë mbi standarde të përcaktuara qartë ose të zbatuara në mënyrë konsekuente. Për shembull, në raste në dukje të ngjashme, Gjykata Kushtetuese vendosi zhvillimin e raundit të dytë të zgjedhjeve në Zonat 25 dhe 40, por jo në Zonat 19, 24, 57, 63, dhe 67. Në disa raste, u duk se Gjykatat nuk arritën të hetonin në mënyrë të mjaftueshme ose të merrnin plotësisht parasysh rrethanat ose faktet e paraqitura. Për shembull, në Zonën 19, Gjykata Kushtetuese deklaroi se “të dyja pasqyrat e rezultateve ishin të nënshkruara nga të njëjtët anëtarë të komisionit…”, kurse kopjet e të dyja versioneve të procesverbalit të manipuluara të KQV 6, Zona 19, që ju shpërndanë vëzhguesve në orët e para të 25 qershorit, treguan qartësisht të kundërtën. Gjykata Kushtetuese preferoi të mbështetej jo në procesverbalet e përgatitura në qendrën e votimit nga KQV, por në të kundërt vendosi të rinumërojë fletët e votimit të cilat, ndoshta, mund të mos ishin ruajtur të paprekura në mënyrë të mjaftueshme përpara gjykimit të çështjes. Megjithatë, nuk kishte procesverbal në kutinë e votimit dhe zarfet e sigurisë ishin të hapura.

- Transparenca e seancave të gjykimit ishte ndonjëherë problematike. Për shembull, OSBE/ODIHR nuk arriti të marrë në kohë dokumentacionin e plotë në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të përsëritur zgjedhjet në Zonën 13, ku fitorja e raundit të parë të kandidatit të BF dukej bindëse.

- Një kandidat i pavarur, Agron Duka, u zgjodh në Zonën 25, ku vëzhguesit verifikuan raste mashtrimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›