Integrimi, Shqipëria, përgatitje për pyetësorin e KE-së
Kryeministri Sali Berisha informoi dje se qeveria do të marrë së shpejti pyetësorin evropian, i cili përbën dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të vlerësohet performanca e administratës dhe e qeverisë. Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje para anëtarëve të Komitetit Ndërministror për Integrimin dhe Këshillit të Ministrave udhërrëfyesin për përgatitjen e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian. Qëllimi i këtij pyetësori është vlerësimi i gatishmërisë së vendit për të ecur drejt fazave të tjera që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me BE-në. Z. Berisha gjatë mbledhjes nënvizoi se integrimi evropian i vendit është një objektiv madhor dhe se procesi i përgatitjes së pyetësorit të Komisionit Evropian të jetë në krye të axhendës së qeverisë dhe kërkoi një angazhim maksimal nga ministritë dhe të gjitha hallkat që do të merren me këtë proces mjaft të rëndësishëm. Kështu, gjatë mbledhjes u diskutua për fazat e këtij procesi, duke u ndalur veçanërisht në krijimin e strukturave menaxhuese dhe koordinuese në nivel të qeverisjes qendrore, krijimi i grupeve të punës dhe ekipeve brenda institucioneve të përfshira në proces, si dhe u vu theksi në rëndësinë krijimit dhe organizimit të një grupi ekspertësh të pavarur, të përzgjedhur me kujdes dhe të trajnuar që do të mbikëqyrin procesin.