E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA e gatshme për “përballje” me Iranin

SHBA-ja ka hartuar planet emergjente, për t’iu adresuar ambicieve bërthamore të Iranit, në rast se dështojnë negociatat mes Teheranit dhe shteteve perëndimore, ka deklaruar një gjeneral i ushtrisë amerikane.

“Do të ishte papërgjegjësi nëse Komanda qendrore nuk mendon për opsionet e ndryshme dhe nëse nuk harton plane për situatat e ndryshme emergjente”, deklaroi gjenerali David Petreus, i cili kryeson Komandën Qendrore të SHBA-së, e cila mbikëqyrë Lindjen e Mesme, rajonin e Gjirit dhe Azinë Qendrore.

Petreus nuk pranoi të komentojë raportet se Izraeli, vend ky i cili thotë se Irani paraqet kërcënim ekzistencial për shtetin hebre, mund të sulmojë objektet bërthamore të Iranit.
Por Petreus theksoi se “këto objekte me siguri se mund të bombardohen”, përkundër raporteve se ato janë të fortifikuara”.

Pa shpjeguar planet e emergjencës, Petreus theksoi se me gjasë mund të kalojë ca kohë, para se Washingtoni të vendosë se a do të ekzekutojë këto plane dhe se në ndërkohë do të vazhdojnë përpjekjet diplomatike.

Teherani është në grindje me shtetet Perëndimore, të cilat akuzojnë Iranin se po synon të prodhojë armë bërthamore, nën mbulesën e programit civil për energji bërthamore, akuza këto të cilat mohohen nga Teherani.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›