SHBA, ende larg marrëveshja për borxhin

Arritja e një marrëveshjeje në Kongresin amerikan për rritjen e kufirit ligjor të borxhit, duket se është ende shumë larg. Republikanët e shtynë miratimin e një pakete kursimi jo më herët se të enjten. Ekspertët e pavarur kishin deklaruar më parë se propozimi i republikanëve nuk ofron kursimet e premtuara.
Të gjithë treguesit sugjerojnë se negociatat midis demokratëve dhe republikanëve deri në afatin e fundit më 2 gusht mund të zgjasin. Kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga përballja e Shteteve të Bashkuara me atë që Presdenti Obama e cilësoi si “fundi i botës financiare”, shtegu legjislativ për menjanimin e krizës së borxheve duket më i zymtë se asnjëherë.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Harry Reid hodhi poshtë një propozim të një dite më parë nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner që do të reduktonte defiçitin federal dhe rriste tavanin e huave në dy faza. Pak momente më vonë, udhëheqësi republikan i pakicës në Senat, Mitch Mçonnell, kritikoi një plan nga senatori Reid që po ashtu do të shkurtonte shpenzimet por që do të lejonte për një rritje të vetme në shkallë të lartë të huamarrjes federale.
Pavarësisht se kanë pakicën, republikanët kanë një numër të mjaftueshëm vendesh për të bllokuar votën përfundimtare ndaj planit të Reid. Plani i senatorit demokrat është konsideruar i vdekur që në mbërritje në Dhomën e Përfaqësuesve, të njëjtin fat me planin e zotit Boehner në Senat. Faktikisht, plani i Boehner në Dhomën e Përfaqësuesve është larg miratimit.
Demokratët e pakicës e kundërshtojnë propozimin republikan dhe disa pjestarë të lëvizjes “Tea Party” kanë premtuar të votojnë kundër çdo shtimi të tavanit të huamarrjes në baza ideologjike.Të martën herët, udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve Eric Cantor njoftohet se u kërkoi pjestarëve të partisë së tij republikane që të lënë menjanë mosmarrëveshjet e brendëshme dhe të mbështesin planin e Boehner. Senatori Reid argumentoi se propozimi i tij i plotëson kërkesat kryesore republikane: ulje të konsiderueshme të shpenzimeve dhe jo rritje taksash. Administrata e Presidentit Obama thotë se 2 gushti është afati i fundit për rritjen e tavanit të huamarrjes.
Përtej kësaj date, zyrtarët e Thesarit amerikan thonë se qeveria federale do të mbështetet vetëm në të ardhurat e taksave për të financuar veprimtarinë e saj. Këto të ardhura nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e brendëshme dhe të jashtëme dhe për të paguar borxhet prej 14.3 trilion dollarë.
Edhe Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristine Lagard tha se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjidhin me shpejtësi krizën e borxhit pasi në të kundërt pasojat do të jenë mjaft të rënda.