E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, hiqet politika “mos pyet, mos trego”

Politika që ndalonte deklarimin e homoseksualitetit në ushtrinë e Shteteve të Bashkuara është shfuqizuar pas pothuajse dy dekadash.

Anulimi i “mos pyet, mos trego” do të thotë se rekrutët tani mund të zbulojnë se janë gay pa pasur frikë nga hetimi apo shkarkimi i tyre.

Vendimi në fjalë, i pagëzuar si “Dita e Shfuqizimit”, ka bërë që në mbarë vendin të organizohen festa, për të shënuar fitoren e të drejtave të homoseksualëve.

Kongresi amerikan votoi vitin e kaluar shfuqizimin e ligjit, që u prezantua për herë të parë në vitin 1993, nën administratën e Bill Clinton.

Në bazë të kësaj politike, personave gay u lejohej të shërbenin në ushtri përsa kohë nuk tregonin hapur orientimet e tyre seksuale, ndërkohë që komandantëve nuk u lejohej të pyesnin.

Shefi i zyrës së shtypit pranë Pentagonit, George Little u tha gazetarëve se Departamenti i Mbrojtjes ishte përgatitur plotësisht për këtë shfuqizim dhe se 97 për qind e personelit ushtarak i është nënshtruar trajnimit për ligjin e ri.

Forcat e armatosura kanë pranuar aplikime nga shumë rekrutë gay gjatë javëve të fundit dhe tani me ligjin e ri do të fillojë shqyrtimi i kërkesës së tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›