SHBA i kërkon Ukrainës të lirojë opozitarët e burgosur

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Ukrainës të lirojë udhëheqësit e burgosur të opozitës dhe t`iu lejojë atyre që të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 tetorit.
Duke folur para gazetarëve dhe përfaqësuesve të grupeve për të drejtat e njeriut në Kiev, zëvendës-ndihmëssekretari i Shtetit në Byronë për Demokraci, Tomas Melia, ka shprehur shqetësimin për “persekutimet selektive, të motivuara politikisht”.
Rasti i ish-kryeministres ukrainase, Julia Timoshenko, e cila po vuan dënimin prej shtatë vjetësh burg, me akuzën për abuzim me detyrën zyrtare, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar.
Timoshenko aktualisht ndodhet në spital për trajtim. Autoritetet ukrainase kanë lejuar që ekspertët e Bashkimit Evropian të ekzaminojnë shëndetin e saj, ashtu si edhe procesin ligjor kundër Timoshenkos.