Pa mëshirë në “derbi’,Duro shkatërron Beqajn
Jetmir Halilaj
Gjatë ndeshjes kundër Portugalisë e ka falënderuar Beqajn pambarimisht për çdo pritje që bënte, ndërsa dje Duro dhe skuadra e tij i ka shënuar katër gola gardianit të përfaqësueses shqiptare. Ky është futbolli. Këtë e pranon edhe vetë Duro, i cili megjithëse nuk ka shënuar asnjë nga golat në portën e Beqajt, ka qenë regjisori i dy aksioneve që përfunduan me gol në pjesën e parë të takimit. Derbin shqiptar të Qirpos mes Beqajt dhe Duros, e fitoi ky i fundit, pasi skuadra e tij, Omonia Nikosia shkatërroi Anorthosisin 4-0. “Me Beqajn fola pas ndeshjes. Ai është profesionist dhe më uroi për fitoren, ndonëse dukej që në pamje të parë që ishte i mërzitur”, ka thënë Duro në një intervistë për “Panorama”.
Jo vetëm që fituat derbin me Beqajn, por ju dhe skuadra juaj i shkaktuat humbjen më të thellë ekipit të Beqajt këtë sezon...
Unë jam i lumtur që fituam, sepse ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe ne kishim nevojë për këtë fitore. Sa për Beqajn, mua më vjen keq më tepër për katër golat që pësoi se sa për humbjen, sepse në futboll ka edhe humbje. Me sa di, askush tjetër këtë sezon nuk i kishte shënuar kaq shumë gola Beqajt në një ndeshje dhe për këtë nuk më vjen edhe aq mirë. Megjithatë, ai zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe golat që pësoi, nuk ishin për faj të tij. Mbrojtja e Famagustës u çorientua tej mase në pjesën e parë, ku ne shënuam tre gola, por me aq sa pashë Beqaj nuk pati mundësi të reagonte sepse mbrojtja e nxori zbuluar.
Keni organizuar aksionin e golit të parë, ndërsa te goli i dytë keni dhënë asistin final, nuk është se jeni treguar edhe aq i kursyer ndaj Beqajt, apo jo?
Shikoni, ne jemi profesionistë dhe pavarësisht afrimitetit që krijohet në Kombëtare, kur luajmë me ekipet tona, respektojmë fanellën që kemi veshur. Si unë, ashtu edhe Beqaj donim fitore në këtë ndeshje.
A folët me Beqajn pas ndeshjes?
Sigurisht që po. Ai është profesionist. Dukej qartë që ishte mërzitur, por nuk harroi të më uronte për fitoren. Beqaj është një njeri me karakter të fortë dhe jam i bindur se kjo humbje nuk do të ndikojë në rendimentin e tij.
Keni luajtur 90’ minuta dhe sipas medias qipriote keni bërë një ndeshje shumë të mirë?
U futa në fushë për të dhënë më të mirën dhe jam i kënaqur që marr vlerësime pozitive. Jam rikthyer në formën optimale dhe shpresoj që të vazhdoj me këto ritme.