Liri me kusht, gjykata mbytet nga kërkesat
Autori i Lajmit: RedaksiaGjykata e Tiranës shqyrton çdo ditë mbi 15 kërkesa për liri me kusht nga të dënuarit, të cilët janë dënuar për krime të lehta. Një fenomen i tillë vjen si pasojë e zbatimit të aplikimit të dënimeve alternative muajt e fundit nga Ministria e Drejtësisë. Burime nga gjykata bëjnë me dije se tashmë çdo kërkesë e të dënuarve asistohet dhe ka si palë edhe një specialist nga Shërbimi i Provës.
Dokumentacioni
Burime nga gjykata bëjnë të ditur se të dënuarit që kërkojnë të përfitojnë lirim me kusht duhet domosdoshmërish të paraqesin dokumentacionin e paraqitur nga Ministria e Drejtësisë, si dhe një mundësi punësimi në një sektor privat apo shtetëror nëse do të jetë e mundur. Por, për të fituar lirinë, të dënuarit duket se kanë angazhuar dhe familjarët, të cilët kanë mundur tu gjejnë të afërmve të tyre të dënuar një punë, si kërkesë e domosdoshme për tu shpallur përfitues e të marrësh të drejtën nga Gjykata. Familjarët paraqesin kryesisht një vërtetim për gjetjen e një vendi pune në sektorin privat dhe më pas i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës. Më pas, me vendimin e gjykatës, të sapoliruarit kanë kontaktuar specialistët e Shërbimit të Provës dhe kanë marrë informacion mbi kontaktet e shpeshta që duhet të kenë gjatë kohës që zbatojnë dënimin alternativ. Kjo procedurë vazhdon deri në përfundim të masës së dënimit, ndërkohë që specialistët e Shërbimit të Provës përpilojnë raporte sistematike mbi sjelljen e personit gjatë kohës që zbaton dënimin alternativ.
Përfituesit
Burime nga Shërbimi i Provës shprehen se ka një numër të konsiderueshëm që kanë përfituar nga ky shërbim, konkretisht duke vijuar studimet e larta apo duke u punësuar në sektorë privatë. Por, sipas burimeve, ka edhe persona që kanë përfituar nga ky shërbim, por jo liri të plotë, por gjysmë liri. Për këta persona, hartohet një program ditor individual, i cili përmban detyrimet e të dënuarit gjatë kohës që ndodhet jashtë institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, duke përcaktuar: oraret e hyrjes dhe daljes në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale; personat me të cilët i dënuari lejohet ose ndalohet të mbajë kontakte gjatë kohës së qëndrimit jashtë institucionit; ambientet e lejuara dhe ato të ndaluara për frekuentim; si dhe kushte të tjera në bazë të specifikës së personit.
Ky lajm është publikuar: 13/02/2010