SHBA, kandidatja republikane Bakman, fiton votimin provë

Kandidatja republikane për president në SHBA, Mishel Bakman fitoi vendin e parë në një votim provë të zhvilluar në shtetin Ajova, ndërkohë që Guvernatori i Teksasit, Rik Peri, tronditi kampin republikan duke njoftuar hyrjen në garë për të marrë emërimin e kësaj partie.
Fitorja e Bakman në sondazhin e shtetit Ajova e konsolidon pozitën e saj si konkurrente e fortë për emërimin republikan. Sondazhi në fjalë është një votim jozyrtar por i rëndësishëm për republikanët që kërkojnë të sfidojnë Presidentin Barak Obama në zgjedhjet e vitit 2012.
Bakman, anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti Minesota, është favorite e aktivistëve konservatorë të quajtur Tea Party, të cilët kërkojnë taksa më të ulëta dhe një qeveri më të vogël.
Pothuajse 17,000 vetë morën pjesë në votimin provë të zhvilluar në qytetin Ejms të Ajovës. Bakman mori 4.823 vota, e pasuar nga kongresmeni i Teksasit, Ron Pol, me 4.671. Ish guvernatori i Minesotës, Tim Polenti zuri vendin e tretë me 2.293 vota.