E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, krah për krah me popullin e Kosovës

UASHINGTON- SHBA qëndron krah për krah me popullin e Kosovës, që po hapin rrugën për të ardhmen e vendit. Kështu u shpreh Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton në një konferencë të përbashkët që pati pak minuta më parë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kreu i qeverisë së Kosovës po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet që të takohet edhe me presidentin, Barak Obama.

Klinton përshëndeti marrëveshjet e fundit që Kosova ka nënshkruar, ndërsa shtoi se është e impresionuar nga progresi i Kosovës, jo vetëm në drejtim të integrimit por edhe në ekonomi.

Ne duam ta ndihmojmë Kosovën që të integrohet plotësisht, sidomos të rinjtë e Kosovës tha Klinton, e cila ndër të tjera përshëndeti edhe fillimin e studimit të fizibilitetit për MSA-në me Bashkimin Evropian, ku theksoi se kjo marrëveshje tregon angazhimin e liderëve në Kosovë.

Kryeministri Thaçi falënderoi sekretaren Klinton, ndërsa tha se integrimi i Kosovës kërkon prezencën e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Thaçi tha se shumë gjera mund të kenë ndryshuar në Kosovë, por diçka nuk do të ndryshojë asnjëherë, liria dhe sovraniteti.

Vizioni im për Kosovën është një e ardhme me fqinjësi të mirë, kufinj të hapur dhe marëdhënie të mira.- tha Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›