E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA kundër shtyrjes së zgjedhjeve në Shqipëri

Withers: Të gjithë shtetasit shqiptarë duhet të pajisen me karta
Procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike, në vetvete ka ende shumë probleme, ndërkohë që kanë mbetur vetëm pak ditë nga përfundimi i tij.
Për ambasadorin amerikan në vendin tonë John Withers, shtyrja e zgjedhjeve është një çështje që i takon politikanëve shqiptarë, por në pikëpamjen e tij, mundësitë për të zhvilluar zgjedhjet historike në ditën e planifikuar, ekzistojnë. Mendoj se kjo kërkon përpjekje të mëdha nga të gjitha palët e përfshira në proces, por edhe nga drejtuesit politikë në vend. Në pikëpamjen time, ne kemi ende përpara nesh mundësinë që gjërat të funksionojnë ashtu si janë planifikuar. Nëse do të ketë alternativa të tjera, këto duhet të zgjidhen midis drejtuesve politikë të vendit, duhet të jetë vendim i tyre. Pra do ishte në dorën e tyre, jo tonën, sqaroi ambasadori amerikan. Ai vlerësoi votimin jo thjesht një detyrë, por një moment magjik dhe gjeti rastin për të inkurajuar shqiptarët që të përfshihen dhe të angazhohen në këtë proces të jashtëzakonshëm. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë parashtruar disa prej këtyre problemeve duke u ndalur sidomos tek personat që nuk kanë as pasaportë dhe as karta identitetit. Ambasadori i SHBA në Tiranë, Withers ka theksuar ndër të tjerë një tjetër shqetësim, që sipas tij kërkon zgjidhje të menjëhershme. Aplikimi në zonat rurale është shoqëruar me probleme teknike, ndërkohë që ka probleme edhe në shpërndarjen e kartave. Por, shqetësimi kryesor sipas Washingtonit mbetet kategoria e shtetasve pa asnjë dokument identifikimi. Për të arritur në zgjidhjen e këtij problemi, sipas Withers duhet të fillohet me identifikimin e këtyre qytetarëve si dhe të inkurajohen njerëzit që të votojnë, të sigurohet se ata kanë mundësinë e votës, të sigurohet se ata mund të identifikohen nga qendrat administrative. Përsa i përket personave që kanë aplikuar dhe nuk kanë marrë ende kartën e identitetit, Withers duke e cilësuar numrin e këtyre personave shumë herë më prapa në krahasim me ata që kanë aplikuar, theksoi si të rëndësishme faktin që njerëzit që kanë aplikuar dhe që ju është dhënë e drejta për të votuar duhet të sigurohen që ti marrin këto karta, duhet të shkojnë dhe ti tërheqin ato. Është shumë e rëndësishme që autoritetet qeveritare të bëjnë gjithçka që është e mundur për të inkurajuar njerëzit që të marrin këto karta, qeveria duhet të sigurohet se njerëzit që u është dhënë e drejta për të marrë një kartë, ta kenë atë në duar, nënvizoi ambasadori amerikan. Withers duke u ndalur tek një tjetër element problematik i këtij procesi, raportimet mbi funksionimin e qendrave administrative nëpër Shqipëri, ka nënvizuar problemet teknike në zonat rurale, të cilët sipas tij duhet të zgjidhen menjëherë dhe njerëzve tu jepet mundësia për të aplikuar për kartat e identitetit. Në disa vende kemi mësuar se nuk ka staf të mjaftueshëm për numrin e njerëzve që duan të aplikojnë në një moment të caktuar; në disa vende ka problem me internetin dhe energjinë elektrike, në disa vende orari është i paqëndrueshëm dhe jo i rregullt, ndaj kur njerëzit shkojnë për të aplikuar nuk gjejnë njeri që tju shërbejë, theksoi ai. Por, Withers cilësoi si shqetësim kryesor të këtij procesin, elementin që ka ngjallur edhe më shumë debate politike, i cili ka të bëjë me njerëzit të cilët nuk kanë një kartë identiteti, por as pasaportë. Këta njerëz, sipas ambasadorit amerikan janë më shumë në rrezik për tiu mohuar mundësia për të votuar. Problemi që unë shoh është se është ende e paqartë se sa njerëz mund të futen në këtë kategori, bazuar në informacionin që na është dhënë. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të ketë qartësi në këtë situatë. Mund të fillohet duke ditur se sa është numri i qytetarëve, për të cilët po flasim dhe si rrjedhim të inkurajohen njerëzit që të votojnë, të sigurohet se ata kanë mundësinë e votës, të sigurohet se ata mund të identifikohen nga qendrat administrative në mënyrë që këto çështje të zgjidhen dhe Shqipëria të ketë mundësinë të ofrojë standardin universal të së drejtës për të votuar, e cila është shumë e rëndësishme për këto zgjedhje, nënvizoi ai.
 ******************************************************************
Shefja e delegacionit të KE, Jonker: Të mos shtyhen zgjedhjet
Ndërkombëtarët paralajmërojnë klasën politike shqiptare të mos shtyjë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Këtë herë është Bashkimi Evropian, i cili paralajmëron Shqipërinë që të mos ti shtyjë zgjedhjet. Kjo deklaratë vjen nga shefja e delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Corien Jonker pas përfundimit të takimit me ministrin e Brendshëm Bujar Nishani. "Kjo mundësi është hedhur nga disa aktorë, por ajo nuk është absolutisht në interes të Shqipërisë dhe nuk do të ndihmonte në funksionimin e sistemit, pasi ka pasur kohë të mjaftueshme për funksionimin e mirë të tij, theksoi ajo. Sipas Jonker në rast të një veprimi të tillë është Shqipëria, e cila do të humbasë shumë në vlerësimin e faktorit ndërkombëtar. Kryesuesja e delegacionit të Komisionit Ad Hoc të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e ngarkuar për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Corien Jonker deklaroi ndër të tjera se opozita të mos bëjë lojë politike për kartat e identitetit, por të inkurajojë njerëzit të pajisen me to. Qeveria ka përgjegjësinë kryesore në pajisjen e qytetarëve me karta, por ne shpresojmë që dhe partitë politike, sidomos ato të opozitës të mos bëjnë thjesht një lojë politike, por të jenë edhe ato pozitive në gjithë këtë proces, duke  inkurajuar njerëzit të marrin kartat, në mënyrë që procesi zgjedhor të jetë demokratik, theksoi ajo. Në këtë drejtim vërejti Jonker qeveria duhet të jetë shumë transparente për të gjitha informacionet që kërkohen. "Qeveria ka përgjegjësinë që çdo person që do të votojë të ketë mundësinë të aplikojë dhe të marrë kartën e identitetit. E vërteta është se jo të gjithë personat që nuk kanë pasaportë kanë pasur mundësinë të aplikojnë dhe po ashtu, edhe ata që kanë pasur mundësinë të aplikojnë, nuk do të thotë që e kanë tashmë kartën e identitetit", tha parlamentarja europiane. Sipas Jonker, tashmë që kanë mbetur vetëm tre javë deri në ditën e zgjedhjeve përgjegjësia e qeverisë është shumë e madhe që gjithë personat që duan të votojnë, të kenë kartë.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›