SHBA, lehtësi ekonomike Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar edhe më tej marrëdhëniet dypalëshe me Republikën e Kosovës dhe në kuadër të zhvillimit të tyre në fushën ekonomike i kanë njohur statusin e shetit në radhën e vendeve nga të cilat mund të importohen mallra pa taksa doganore. Një gjë e tillë është bërë publike në një letër që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush i ka dërguar liderëve të të dy dhomave të Kongresit, Dhomës së Përfaqësuesve dhe asaj të Senatit. "Më 17 shkurt Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia dhe në dritë të kësaj ngjarjeje unë kam vendosur që Kosova të jetë një përfituese e veçantë në kuadër të programit të Sistemit të Përgjithshëm të Preferencave (GSP) për vendet në zhvillim", thuhet në letrën që presidenti amerikan i dërgon liderëve të Kongresit. Programi i ashtuquajtur GSP, është krijuar nga Kongresi Amerikan me qëllim që t'u shërbejë si një urë ndihmëse vendeve në zhvillim, derisa ato të rrisin pjesëmarrjen e tyre në sistemin global të tregut. Njëkohësisht kjo ndihmon konsumatorët dhe industrinë amerikane të zgjerojnë mundësinë e tyre të zgjedhjes. Importi i SHBA-së nga 131 vendet që e gëzojnë këtë status, të cilave iu shtua edhe Republika e Kosovës, arrin shumën prej 32 miliardë dollarësh në vit, ndërsa në këtë listë hyjnë mbi 4650 prodhime të ndryshme. Në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë thuhej se prej së premtes në këtë program, përveç Kosovës, është bashkangjitur edhe Azerbajxhani.