Presidenti u bën apel institucionet për fëmijët
23/12/2009 Kreu i Shtetit siguron ngrohje për të moshuarit
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, apeloi shoqërinë shqiptare për më tepër vëmendje ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara. I shoqëruar nga Zonja e Parë Teuta Topi, ai vizitoi dje Qendrën Rezidenciale të Zhvillimit në Durrës, ku jetojnë e arsimohen fëmijë me aftësi të kufizuara. “E rëndësishme është që të gjithë së bashku të bëjmë maksimumin që këta fëmijë të kthehen në një jetë relativisht normale. Të gjithë së bashku duhet të japim impulse që fëmijët, kudo që të jetojnë, të kenë kushte normale për të përballuar, sepse kjo situatë sigurisht që rëndon te familjarët. Jam i bindur se shteti, qeverisja qendrore do të bëjnë të pamundurën që kudo, në të gjithë Shqipërinë, kudo ku të ketë fëmijë me të tilla probleme, të japin mundësitë që të rehabilitohen sa më shpejt dhe në kushte normale”, - tha Presidenti Topi. Po dje ai vizitoi edhe të moshuarit në qendrën e Kavajës, të cilëve në shenjë dashamirësie dhe respekti u dhuroi pajisje elektrike ngrohjeje.