E Diel, 1 Nëntor 2026

Halimi: Bojkoti i opozitës nuk i ka penguar reformat

23/12/2009  Fundi i sesionit parlamentar, bilanci i mazhorancës pa PS-në
“Miratimi i projekteve, i domosdoshëm syri kritik”
Pak ditë nga përfundimi sesionit të parë parlamentar për këtë legjislaturë të re, maxhoranca qeverisëse nuk e ka ndier shumë mungesën e deputetëve të Partisë Socialiste në Parlament për sa i takon ecurisë së reformave në vend. Por ajo e vlerëson shumë të rëndësishëm kontributin e deputetëve të opozitës në miratimin e ligjeve. Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi, sekretar i një prej komisioneve më intensive të parlamentit, atij të Ligjeve, thotë se mungesa e kartonëve të opozitës nuk ka penguar asnjë reformë, as atë në drejtësi. “Ka pasur një intensitet të jashtëzakonshëm të punës së tij. Çdo ditë të javës, me përjashtim të ditës të enjte dhe ditës së premte, ka pasur mbledhje, ku janë diskutuar me profesionalizëm të lartë një numër i madh projektligjesh, ndër të cilët do të veçoja projektligjin e antimafies”, - theksoi ai. Sipas Halimit, pavarësisht kësaj, opozita duhet të lërë mënjanë bojkotin e të kthehet në Kuvend. “Mungesa e opozitës e dëmton procesin, pasi ne bëjmë vërejtje nga këndvështrimi i mazhorancës, ndërkohë që mungon këndvështrimi i opozitës, që është i nevojshëm për një demokraci normale në një shtet. Pra, ka munguar elementi kritik i syrit të opozitës. Reforma në drejtësi ka vijuar me elementet e tjera të atyre ligjeve që kanë kërkuar një shumicë të thjeshtë për të kaluar, por sigurisht prania e opozitës është e domosdoshme”, - tha Halimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›