E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alpha Bank hedh në treg kartën American Express

Kartat American Express tashmë janë prezente edhe në tregun shqiptar. Këto karta iu ofrojnë konsumatorëve shqiptarë përfitime unike dhe shpërndahen nëpërmjet rrjetit të degëve të Alpha Bank-Albania. 

 Gjatë një deklarate për media, drejtori i Përgjithshëm i Alpha Bank-Albania, Andreas Galatoulas tha se, "kjo është një ditë e rëndësishme, pasi ne po shpallin zyrtarisht bashkëpunimin tonë me American Express. Alpha Bank-Albania këtë vit feston edhe 10-vjetorin e prezencës së saj në Shqipëri. Eshtë një nder ta ndërthurësh këtë ngjarje me fillimin e një bashkëpunimi ekskluziviteti me American Express në Shqipëri". Ndërsa Marios Klapsis, drejtues i American Express, u shpreh se janë shumë të kënaqur që kanë krijuar një partneritet me Alpha Bank-Albania. "Ne besojmë se kartat American Express, të cilat ne po promovojmë do të jenë dy nga produktet më mira në rangun e kartave të kreditit të ofruara në treg, pasi ato ofrojnë një paketë përfitimesh unike të krijuara posaçërisht për konsumatorët dhe për të gjithë ata që udhëtojnë për arsye biznesi dhe që vlerësojnë risinë dhe shërbimin e një klasi botëror", tha ai. Alpha Bank dhe American Express kanë një marrëveshje për lëshimin e kartave dhe marrëveshjet me tregtarët në Greqi që nga viti 1995, ku kjo bankë lëshon të gjithë gamën e kartave me markën American Express. Gjithashtu, Alpha Bank-Shkup dhe American Express kanë një marrëveshje për lëshimin e kartave dhe zgjerimin e rrjetit të tregtarëve ku Alpha Bank lëshon kartat American Express.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›