Depozitat e karburanteve, dy ministri të pafuqishme ti zhvendosin në Porto Romano
Ervin KOÇI
Megjithëse kanë përfunduar të gjitha afatet kohore, depozitat e karburantit që ndodhen në Portin detar të Durrësit janë akoma aty dhe në funksion të portë. Që në fillim të këtij viti ato duhet të ishin zhvendosur në pontilin e ri të Porto Romanos i bërë enkas për to. Por deri tani me gjithë ndërhyrjen edhe të dy ministrive, përsëri depozitat e hidrokarbureve vazhdojnë të jenë të palëvizura në Portin e Durrësit duke zënë një pjesë të konsiderueshme të tij, si dhe duke penguar projektin për zgjerimin e portit të financuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë të fuqishëm. Dy ministritë ajo e Ekonomisë si dhe ajo e Transporteve që po merret dhe me projektin për zgjerimin e portit, akoma nuk kanë arritur të vënë në vend autoritetin e tyre për të zhvendosur këto depozita të njohura si “depozitat greke”. Ndërprerja e aktivitetit të përpunimit të karburanteve në Portin e Durrësit ka nisur që në vitin 2003, por duket se do të zgjasë edhe për ca kohë. Qeveria "Berisha" kishte marrë vendimin në korrik të vitit 2007 për zhvendosjen e të gjitha depozitave me naftë dhe gaz, për ti transferuar ato në zonën e Porto Romanos, në periferi të qytetit të Durrësit, aty ku mendohet se do të ndërtohet edhe parku energjetik. Sipas vendimit, kompanive të importit të karburantit u lihej afat fundi i dhjetorit 2008, pasi procesi i zhvendosjes së depozitave kërkonte kohë dhe para shtesë. Por dhjetori 2008 iku dhe po vjen ai 2009, e megjithatë kompanitë e importit vazhdojnë ende të shkarkojnë sasi të konsiderueshme karburanti në portet e Shëngjinit dhe Durrësit, duke shkelur hapur vendimin e qeverisë. Kreu i Inspektoratit të Naftës dhe Gazit, Ilir Kurti është shprehur për mediat se afati për zbatimin e VKM-së është shtyrë për në muajin mars 2009, në mënyrë që t‘u lihet kohë në dispozicion kompanive importuese. Por edhe marsi kaloi dhe tani jemi në prill e megjithatë depozitat jo vetëm që nuk kanë lëvizur vendit, por mbushen e zbrazen sa herë sipas nevojave të tregut.
Moszbatimi i vendimit
Qeveria, më datë 25 korrik 2007, duke iu referuar ligjit "Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, mori vendimin për ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të anijeve, që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre, në Portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, i cili u shty deri në fund të muajit mars 2009. Por edhe pse ky afat skadoi sërish depozitat janë po aty ku kanë vite që ndodhen. Shkaku për moszbatimin e vendimit të qeverisë lidhet me ngadalësimin e projektit për ndërtimin e pontilit në Porto Romano, nga ku do të shkarkohen të gjitha sasitë e karburantit. Nga vendimi përjashtohet vetëm Porti i Vlorës, në të cilin do të vijojë përpunimi i naftës, duke qenë se synimi i qeverisë mbetet ndërtimi i një parku energjetik.
Rreziku nga depozitat
Problemi i depozitimit të naftës dhe gazit në Portin e Durrësit dhe Shëngjinit është ngritur me kohë, duke qenë se pozicioni i tyre ndodhet shumë pranë qendrave të banimit. Nisur nga shqetësimi i vazhdueshëm dhe garantimi i sigurisë për banorët, qeveria ndërmori hapin e guximshëm për t‘i zhvendosur në zonën e Porto e Romamos, duke miratuar edhe zbatimin e projektit për ndërtimin e një pontili, nga ku do kalohej e gjithë sasia. Në total, kapaciteti i depozitave llogaritet rreth 50 mijë tonë, nga ku ushtrojnë aktivitetin e tyre tetë kompani. Një pjesë e tyre kanë nisur punën për ndërtimin e impianteve të reja në Porto Romano, ndërsa paralelisht nuk kanë reshtur punën për shkarkimin e gazit dhe naftës në të dyja portet. Ndërkohë projekti në Porto Romano thuajse ka përfunduar, ndërsa problem mbetet neglizhenca e kompanive që kanë ende në funksion depozitat në Durrës.
Letrës së ministrit kompanitë greke i përgjigjen me kërkesë dëmshpërblimi
Letrës së dërguar nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, në muajin shkurt 2008, ku i kërkohej kompanive në Durrës një qëndrim sesi do të veprojnë për zhvendosjen e impianteve, subjektet importuese i janë përgjigjur jo plotësisht negativisht. Në përgjigje të letrës, shoqëritë e karburanteve i kanë kërkuar Ministrisë së Ekonomisë, një dëmshpërblim, në kushtet e prishjes së kontratave disavjeçare që kanë me shtetin, por edhe të kostos për ndërtimin nga e para të depozitave në Porto Romano, zonë bregdetare fare pak kilometra larg Durrësit. Në Portin e Durrësit janë të instaluara depozitat e pesë shoqërive, kryesisht greke, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre prej vitesh, ku edhe pse e kanë rritur masën e sigurisë, prania e tyre fare pranë qendrës së banimit përbën rrezik për banorët. Përveç kësaj, kompanitë e importit të karburantit shprehen se afati i vendosur nga qeveria, për zhvendosjen e depozitave brenda muajit dhjetor 2008, është i pamjaftueshëm. Por nga ajo kohë deri tani kanë kaluar edhe katër muaj të tjerë dhe megjithatë asgjë nuk është bërë prej kompanive që posedojnë depozitat.
Pontili në Porto Romano
Zona e Porto Romanos është krijuar enkas si park energjetik, me vendim qeverie. Në këtë zonë, konkretisht për kompanitë e karburanteve që operojnë në Portin e Durrësit, METE vuri në dispozicion rreth 57 hektarë tokë, por këto të fundit kanë kërkuar informacion shtesë rreth pronësisë së tokës. Koncepti i zhvillimit të Porto Romanos bazohet në dy plane. I pari lidhet me parkun energjetik, ndërsa i dyti për krijimin e një zone të lirë ekonomike. Pjesë e kësaj janë edhe instalimet e depozitave të hidrokarbureve të cilat do të jenë pjesë përbërëse e parkut energjetik.
21 Prill 2009