SHBA në pritje të marrjes në pyetje të të dyshimtit

Një grup hetuesish amerikanë, janë duke pritur për të marrë në pyetje të dyshimtin e mbijetuar të bombardimeve në maratonën e Bostonit. Dzhokhar Tsarnaev, 19 vjeç, është arrestuar të premten mbrëma, i plagosur. Ai është duke u mjekuar në një spital në SHBA.
Guvernatori i Massachusetts-it, Deval Patrick, ka thënë se gjendja e të dyshimtit është stabilizuar, por ende nuk është në gjendje të komunikojë. Vëllai i Dzhokhar-it, Tamerlan-i, ka vdekur pas një shkëmbimi me armë zjarri me policinë. Zyrtari i policisë Sean Collier, është vrarë gjatë këtij operacioni të policisë, për gjetjen e vëllezërve që dyshohet të kenë vendosur bombat në vijën e finishit në maratonën e Bostonit.
Të shtunën, presidenti amerikan, Barack Obama, ka takuar këshilltarët e tij më të lartë për të shqyrtuar shpërthimet në Boston. Obama është betuar se do të gjejë përgjigjet se cili ishte motivi i shpërthimeve dhe nëse kryesit e kësaj vepre ishin të ndihmuar nga dikush./Indeksonline/