PDIU në koalicionin e djathtë

Kryesia e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet vendosi që t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryeministrit Berisha për koalicion parazgjedhor, në mbledhjen gjatë së cilës u bë edhe bilanci i katër viteve punë në Kuvendin e Shqipërisë.
“Kryesia e PDIU-së autorizoi kryetarin Idrizi që të nisë negociatat për koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike”, shkruhej në deklaratën, në lidhje me punimet e këtij takimi. Një vend të rëndësishëm në debatet e mbledhjes së strukturave më të larta të PDIU-t luajti rezoluta çame, “miratimi i së cilës ka një rëndësi historike dhe u arrit falë trysnisë së lëvizjes sonë dhe mbështetjes së qytetarëve shqiptarë”, thonë drejtuesit e saj.
Vendimi i PDIU-së për t’u rreshtuar në koalicionin e djathtë parazgjedhor vjen një ditë pasi kryeministri Berisha theksoi se “dyert janë të hapura”, për të gjithë partitë që duan t’i bashkohen koalicionit të mazhorancës aktuale./Indeksonline/