"SHBA nuk mund ta ndreqë botën e vetme"
Në fjalën e tij para liderëve botërorë në Kombet e Bashkuara, Presidenti i ShBA-së, Obama, deklaroi dje se bota duhet të përballet me sfida të vështira dhe se vendi i tij nuk mund ta bënte këtë i vetëm dhe për të gjithë. Ky ishte fjalimi i parë për Obamën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që pas zgjedhjes në Shtëpinë e Bardhë dhe në të ai tha se problemet globale përfshinin armët bërthamore, luftën, ndryshimet klimatike dhe krizën ekonomike. Sipas Obamës, bota ka një të ardhme të përbashkët dhe të gjitha kombet janë përgjegjëse për zgjidhjen e problemeve. Në fjalimin para liderëve të 120 vendeve të ndryshme të botës, Obama theksoi se sfidat e presidencës së tij nuk ishin sfida personale dhe se kur erdhi në këtë detyrë, shumë vende të botës shihnin nga Shtetet e Bashkuara me mosbesim. Sipas tij, një pjesë e këtij gjykimi bazohej në një keqgjykim, por edhe te kundërshtia ndaj disa politikave të caktuara të ndërmarra nga administrata e kaluar që binin ndesh me idenë që shumëkush kishte për Shtetet e Bashkuara. "Ne kemi një të ardhme të përbashkët dhe nuk kemi më luksin që të ushqejmë dasi dhe ndarje", ka thënë Obama. Ndër të tjera ai nënvizoi "katër shtyllat" që përbënin edhe sfidat kryesore me të cilat po përballet bota: armët bërthamore, paqen dhe sigurinë, ruajtjen e planetit dhe ekonominë globale. Gjithashtu parashtroi edhe mënyrat me të cilat vendi i tij do të vepronte për të përballur problemet dhe ftoi të gjitha kombet e varfra e të pasura që t‘i bashkoheshin nismës së tij për të mirën e përbashkët. "Ata që i kanë akuzuar deri më tani Shtetet e Bashkuara për veprime të njëanshme në botë, tani rrinë duarkryq, në pritje që Amerika të zgjidhë e vetme problemet e botës. Ne duhet që të ndërtojmë koalicione e aleanca të reja dhe të ngremë ura të reja për t‘u bashkuar në të tashmen, aty ku jemi ndarë në të shkuarën. Të gjitha vendet kanë të drejta dhe përgjegjësi", ka thënë Obama. Një pjesë të konsiderueshme të fjalimit të tij Presidenti ua kushtoi sfidave për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë dhe përfundimtare për Lindjen e Mesme dhe bëri thirrje për "negociata pa kushte paraprake". Ai tha se nuk e nënvleftësonte aspak shkallën e vështirësisë së këtij konflikti dhe të vetë sfidës, por shtoi se një gjë e tillë nuk do ta ndalonte në rrugën e tij për arritjen e paqes. Një ditë më parë Obama pranoi se Shtetet e Bashkuara kishin qenë të ngadalta në veprime në këtë drejtim deri më tani, por premtoi se gjërat do të ndryshonin. Një ndryshim që sipas tij do të prekë edhe çështjet e klimës. Ai tha më tej se mund të kishte vende që nuk i merrnin mirë fjalët e tij dhe se kjo thirrje për përgjegjësi të përbashkët mund t‘u dukej si një leksion që po u jepej, por ai nuk do të tërhiqej. Fjalimi i Obamës ishte qendra e ditës së dytë të punimeve të Asamblesë të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe ishte një çimentim i mëtejshëm i politikës së tij të jashtme të ndjekur deri më tani, që sipas vetë fjalëve të tij ndryshonte nga ajo e njëanshme e ushtruar nga paraardhësi Bush. Ai renditi edhe hapat që kishte marrë në lidhje me çështjet e politikës së jashtme që nga muaji janar, duke filluar nga vendimi për mbylljen e Guantanamos, te fjalimi për Iranin dhe ndryshimi i politikës ndaj Rusisë, sidomos vendimi i fundit në lidhje me heqjen dorë nga plani i ndërtimit të sistemit anti-raketë. "Shtetet e Bashkuara e kanë ndryshuar kryekëput tonin e komunikimit të tyre në lidhje me çështjet ndërkombëtare, por edhe thelbin dhe praktikën e diplomacisë në Kombet e Bashkuara, por multilateralizmi ka kufij, sidomos kur bëhet fjalë për prekje të interesave kombëtare", ka thënë Presidenti. Pas fjalimit ai ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të ndryshëm ndërkombëtarë, përfshi Medvedev, Presidentin e Rusisë dhe Kryeministrin e ri të Japonisë.