E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA pa qëndrim për planin e Tadiqit

Zëvendës ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker ka thënë se SHBA-të nuk kanë qëndrim të vendosur ndaj planit prej katër pikësh të presidentit serb, Boris Tadiq. Sipas tij, SHBA-të konsiderojnë që tani, para së gjithash, është i nevojshëm vazhdimi i dialogut Beograd - Prishtinë.

Reeker ka thënë se plani katërpikësh i Tadiqit është çështje që duhet analizuar, por se ka edhe çështje në veri të Kosovës të cilat Prishtina dëshiron të merren parasysh.

“Nuk kemi diskutuar në detaje për këto propozime, e as nuk e kemi marrë ndonjë qëndrim për të. Qëndrimi ynë është që aktualisht fokusi i Serbisë duhet të jetë te sigurimi i statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE”, ka thënë Reeker për gazetën serbe “Politika”.

Në pyetjen nëse është e mund që të bindet Prishtina për të biseduar për katër pikat e planit të Tadiqit, Reeker është përgjigjur se me të vërtetë mendon se aktualisht duhet përkushtim në dialog.

"Bisedimet në suazat e dialogut Beograd-Prishtinë janë qëllim aktual dhe domosdoshmëri. Për të dyja palët ekzistojnë pikëpamje të ndryshme dhe çështje të rëndësishme që duhet të adresohen në të ardhmen. Është mirë se të gjithë kanë ide dhe janë të lirë t’i shtrojnë, por mendoj se tani fokusi duhet të jetë në dialog", ka thënë ai.

Zyrtari amerikan ka thënë se askush nuk kërkon nga Serbia që të tërhiqet nga angazhimet e saj rezolutën 1244 por që nga të dyja palët kërkohet fleksibilitet dhe kreativitet në mënyrë që të sigurohet që edhe Serbia, edhe Kosova të mund të marrin pjesë në forume rajonale dhe të dëgjohet zëri i tyre”, ka thënë Reeker duke shtuar se për Uashingtonin ndarja e Kosovës nuk është një tabu, por një çështje e mosmarrëveshjeve të mëdha për këtë ide.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se pavarësia e Kosovës është një rast special që nuk do të ndikojë në raste të tjera”, ka thënë, ndër të tjera, zëvendës ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›