E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, shtyhet seanca me Diverolin

Efraim Diveroli nuk ka arritur të dalë dje para Kongresit Amerikan për të dëshmuar pozicionin e tij në lidhje me aferën e armëve shqiptare. Seanca dëgjimore, e përcaktuar dy javë më parë, është shtyrë për shkak të axhendës së ngjeshur të vetë Kongresit të SHBA. Burime të ndryshme njoftuan se "është shtyrë dje seanca dëgjimore në Kongresin Amerikan për tre drejtuesit e kompanisë AEY, mes të cilëve edhe presidenti 22-vjeçar, Efraim Diveroli, i cili pritej të dëshmonte para komisionit të reformave qeveritare, të drejtuar nga Henry Waxman".

Sipas të njëjtave burime, që u referohen agjencive prestigjioze të lajmeve, shkak i kësaj shtyrjeje duket se është axhenda mjaft e ngjeshur e Kongresit, i cili nuk ka përcaktuar ndonjë datë për seancën e radhës. Së bashku me ta, ishin thirrur për të dëshmuar edhe zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes rreth faktit që një kompani me probleme serioze si AEY ka përfituar kontrata qeveritare në shifrën e 300 milionë dollarëve, vetëm gjatë vitit të shkuar.

Ky skandal prek edhe Shqipërinë, pasi 22-vjeçari Efraim Diveroli akuzohet të ketë mashtruar Pentagonin pikërisht me armët e blera nga MEICO, një ndërmarrje shqiptare për importin dhe eksportin e municioneve dhe armëve. Dyshohet se armët e blera nga kompania amerikane dilnin nga depot e Gërdecit, një fshat vetëm pak kilometra larg kryeqytetit shqiptar. Më 15 mars të këtij viti, në këto depo pati një shpërthim të fuqishëm, nga i cili gjetën vdekjen 26 persona, u plagosën 300 të tjerë dhe u shkatërruan qindra shtëpi e biznese. Diveroli, tregtari i armëve është aktualisht nën hetim, sepse dyshohet t‘i ketë shitur municion të ndaluar kinez qeverisë amerikane. Firma e tij po konsiderohet si një shembull i mashtrimit dhe keqmenaxhimit lidhur me dhënien e kontratave për bizneset e vogla dhe minoritare nga ana e autoriteteve federale amerikane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›