Trafiku i armëve, në pyetje komandanti i forcave ajrore
Prokurorët e akuzës qendrore, të cilët janë urdhëruar për hetimin e dosjes së "Gërdecit", po mundohen të evidentojnë sasinë e saktë të municioneve që ka hyrë dhe dalë nga fabrika e vdekjes. Me gjithë pasaktësitë gjatë verifikimeve paraprake, drejtuesit e grupit hetimor e kanë parë të arsyeshme të marrin dëshminë e komandantit të forcave ajrore, Petrit Dauti, me qëllim zbulimin e armatimeve që janë transportuar jashtë Shqipërisë. Dauti ka dhënë shpjegime para hetuesve të çështjes, duke servirur dhjetëra dokumente. Por burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme deklarojnë se nuk japin detaje, pasi janë "kërcënuar" nga eprorët. Kryeprokurorja Ina Rama i ka tërhequr vëmendjen në drejtim të ruajtjes së sekretit hetimor, i cili, sipas saj, është konsideruar si një fenomen që duhet goditur, madje duke ndëshkuar personat që e kryejnë atë. Përpos kësaj, në fshehtësi të plotë hetuesit e çështjes po mundohen të marrin të dhëna nga punëtorët e fabrikës për të mësuar më shumë rreth ndodhive që kryheshin brenda fabrikës. Megjithëse ka kaluar mbi një muaj nga ngjarja e rëndë, ende grupi hetimor nuk ka përjashtuar asnjë nga pistat hetimore që deklaroi kryeprokurorja. Në lidhje me trafikun e dyshuar të municioneve nëpërmjet Gërdecit, hetuesit deklarojnë nën zë se po hetohet në tri pista. Sipas të dhënave të para, hetuesit e çështjes kanë mbledhur informacione se në Gërdec mblidheshin municione të rënda, ripaketoheshin dhe më tej niseshin pa inventar për t‘u shitur, kryesisht në vatrat e luftës në të gjithë botën. Hetuesit që verifikojnë trafikun e armëve po përqendrohen në pistën e parë në evidencat e daljeve të municioneve nga pikat doganore, kryesisht nëpërmjet Aeroportit të Rinasit dhe Portit të Durrësit. Por nuk përjashtohen as aeroportet ushtarake si në Kuçovë dhe Gjadër, ku dyshohet se kanë lëvizur disa aeroplanë për transportimin e municioneve. Ndërkohë, janë sekuestruar evidencat e municioneve të ardhura në fabrikën e Gërdecit dhe sa fishekë kanë dalë prej saj. Gjatë ditëve të fundit objekt hetimi janë bërë dokumentet dhe evidencat e transportimit të fishekëve, me kërkesë të MEICO-s dhe me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm dërguar firmës "Albademil" për çmontime në Gërdec, pasi dyshohet se firma në fjalë i ka trafikuar një pjesë të tyre në vende të ndryshme të Lindjes. Sipas burimeve nga akuza, për këtë dyshim po kryhet verifikimi dhe ballafaqimi i dokumenteve të sekuestruara në Shtabin e Përgjithshëm, pranë zyrave të MEICO-s, pranë doganave dhe firmës "Albademil". Për të zbardhur të gjitha dyshimet e transportit të fishekëve dhe marrjes së tyre në repartet ushtarake pranë aviacioneve, prokuroria e ka parë të nevojshme të marrë të dhëna nga komandanti i forcave ajrore. Ndërkohë, krahas pistës së parë, hetuesit deklarojnë se pista e dytë është në të njëjtën linjë me kasetën e bisedës drejtues i kompanisë amerikane AEY, Efraim Diveroli, me Kosta Trebickën. Sipas akuzës, biseda është përgjuar me një telefon NOKIA nga Kosta Trebicka, biznesmen shqiptar. Në të flasin Trebicka dhe Efraim Diveroli, president i kompanisë AEY, Inc me qendër në Majami. Biseda fokusohet rreth një tenderi për shitjen e fishekëve në Afganistan, nga kompania amerikane e kontraktuar nga Departamenti i Shtetit. Ndërkohë, deklaratat e punëtorëve të fabrikës së vdekjes për kushtet e punës, trafikun e dyshuar të municioneve po verifikohet nga prokurori. Pas tragjedisë, rreth 150 punëtorë dhe ish-punëtorë kanë dëshmuar. Ata kanë hedhur disa versione, midis të cilave edhe trafiku i municioneve.