SHBA-të kundër çdo ndarjeje joilegale apo të kamufluar të Kosovës
Bërns i drejtohet Jeremiçit: “Argumentet për Serbinë, hipokrite”. Jeremiç: “Serbia, viktimë e hakmarrjes ndërkombëtare”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët europianë janë kundër çfarëdo ndarjeje të Kosovës, qoftë jozyrtare, të kamufluar apo de jure dhe mbështesin pavarësinë e saj. Kështu ka deklaruar nënsekretari amerikan i Shtetit për çështje politike, Nikolas Bërns, i cili ka shprehur dëshirën për një Ballkan të qëndrueshëm. Bërns, ashtu si i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian, Peter Feith, ka kundërshtuar prerë idenë e ndarjes së saj duke hedhur poshtë argumentet e Serbisë për ta mbajtur atë në kontroll. Në deklaratën e tij para gazetarëve në Uashington, Bërns nuk ka lënë pa përmendur dhe kritikuar ashpër argumentet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, për gazetën “The New York Times”, ku shprehet për një padrejtësi historike që po i imponohet vendit të tij. Zyrtari i tretë më i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit e ka konsideruar argumentin e Jeremiçit si hipokrit dhe anashkalon brutalitetin serb ndaj Kosovës.
“Ata nuk kanë sesi ta harrojnë historinë e asaj që ndodhi në Ballkan në vitet 1990. Dhe në fakt është e çuditshme që të shohësh se kjo retorikë fyese vazhdon nga qeveria e Beogradit për atë që po ndodh në Kosovë, kur qeveria e tyre paraardhëse, në emër të vendit, marshoi në Kosovë në vitin 1999 dhe u përpoq të përzinte një milion shqiptarë të Kosovës nga vendi, si edhe shkaktoi atë që ndodhi në Bosnjë disa vite para Kosovës”, - tha Bërns. Ndërkohë, ministri serb, Jeremiç, për “The New York Times” ishte shprehur se Serbia ishte viktimë e një hakmarrjeje të drejtuar keq të komunitetit ndërkombëtar. Sipas tij, në Serbi po ndëshkohej demokracia e re duke paguar për aktet e tiranisë së ish-udhëheqësit Milosheviç, i cili kreu krime të shumta ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sllobodan Milosheviç vdiq ndërsa ishte i pandehur për krime lufte në Hagë para dy vjetësh. Nënsekretari Bërns ka ripërsëritur se njohja e Kosovës nga SHBA-të dhe vendet europiane kishte si qëllim stabilitetin e Ballkanit. Ai ka shprehur dëshirën për marrëdhënie mes Serbisë dhe SHBA-ve pasi të jetë stabilizuar situata. Berns tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë qeverinë serbe përgjegjëse për atë që ndodh në rrugët e Beogradit, ku protestuesit i vunë zjarrin Ambasadës Amerikane dhe sulmuan disa misione diplomatike europiane javën e kaluar. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët europianë njohën pavarësinë e Kosovës dhe u angazhuan gjithashtu për ndërmarrjen e hapave për të siguruar të drejtat e pakicës serbe. Serbët në pjesën veriore të Kosovës dhe disa figura politike radikale në Serbi thonë se Beogradi duhet të vazhdojë të ketë nën kontroll serbët e Kosovës në një formë ose një tjetër.
Irlanda njeh pavarësinë e Kosovës, së shpejti edhe Islanda dhe Finlanda
Vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës u është shtuar edhe Irlanda. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Jashtme të Irlandës, Dermot Ahern. Sipas tij, Kosova do të njihet si shtet i pavarur dhe sovran nga Irlanda dhe qeveria irlandeze do të jetë e kënaqur të krijojë marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës. Ndërkohë edhe Islanda është shprehur se do ta njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës, kurse Finlanda ka bërë të ditur se do të bëjë njohjen zyrtare më 7 mars. Ministria e Jashtme e Islandës ka njoftuar se autoritetet islandeze kanë vendosur të mbështesin shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe janë shprehur se shpresojnë për vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, edhe pse nuk kanë caktuar një datë për njohje. Ndërkaq, Finlanda ka bërë të ditur datën 7 mars si data kur do të zyrtarizohet njohja e shtetit të Kosovës. Presidentja e Finlandës, Tarja Halonen dhe kryeministri Mati Vanhanen, kanë rënë dakord që ta njohin Kosovën brenda javës së ardhshme. Kosova është njohur si shtet i pavarur dhe sovran nga shumë vende europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm një ditë pas Deklaratës të Pavarësisë. Edhe Shqipëria e njohu pavarësinë e Kosovës dhe emëroi ambasadorin e saj, i cili pritet të fillojë punën së shpejti.
Beograd, akuza 80 personave për dhunën në ambasada
Sulmet e nacionalistëve serbë, të cilët protestuan ndaj pavarësisë së Kosovës, bëri që javën e kaluar të digjeshin dhe sulmoheshin Ambasada Amerikane dhe disa të tjera. Gjatë ditës së djeshme policia serbe ka ngritur aktakuzën ndaj 80 personave, të cilët mendohet të jenë përgjegjës për trazirat e shkaktuara në Beograd.
Ata u dërguan në komisariat, ku dhanë dëshmitë e tyre në lidhje me ngjarjet. Protestuesit, të zemëruar me njohjen e pavarësisë nga ana e Shteteve të Bashkuara, sulmuan javën e kaluar Ambasadën Amerikane në Beograd, duke thyer xhamat dhe djegur një pjesë të saj. Një pjesë e personelit të ambasadës është tërhequr për shkaqe sigurie. Ndërsa nga autoritetet amerikane nuk kanë munguar kritikat dhe akuzat ndaj qeverisë së kryeministrit Koshtunica, duke u shprehur se forcat policore ishin urdhëruar të mos ndërhynin për të shmangur dhunën. Demonstruesit sulmuan edhe Ambasadat e Kroacisë, Sllovenisë, Turqisë, Belgjikës, Gjermanisë dhe Bosnjës.
1 Mars 2008