Sejdiu e Thaçi, letër 192 vendeve për njohjen e Kosovës
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi u kanë dërguar letra zyrtare 192 vendeve të botës nëpërmjet të cilave është kërkuar të njihet Kosova si shtet i pavarur dhe sovran. Gjatë mbledhjes së parë të qeverisë së Kosovës, kryeministri Thaçi u shpreh se është vetëm çështje minutash dhe orësh, ku shumë shtete të botës do të fillojnë njohjen e shtetit më të ri në botë, Kosovës. Kryeministri Thaçi falënderoi të gjithë qytetarët e vendit për festimin dinjitoz të kësaj dite, për mirëkuptimin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Populli ka festuar me dinjitet e krenari dhe ky është mesazh shumë i mirë për botën, Kosova është pjesë e botës demokratike”, - theksoi Thaçi. Ai tha se mesazhe urimi për shpalljen e pavarësisë janë marrë nga shumë presidentë të botës, kryeministra dhe tanimë pritet vetëm njohja në minutat dhe orët në vijim. “Sot është dita e parë e punës pas pavarësisë së Kosovës dhe kërkoj nga ju ministra menjëherë angazhim dhe përgjegjësi shtetërore”, - tha ai. Kryeministri kërkoi nga ministrat që administrata të fillojë të punojë sipas dokumentacionit të ri. Ai tha se çdo dokumentacion këtej e tutje me logo të vjetër është i paligjshëm. “Administrata duhet të ketë logon e re, emërtimin Republika e Kosovës dhe se i gjithë ky komunikim duhet të jetë brenda vendit, por në raport edhe me shtetet tjera”, - u shpreh Thaçi. Ai tha se do të kërkohet menjëherë miratimi i vendimit për emërtimin dhe logo të shkresave zyrtare të institucioneve të Kosovës dhe mbishkrimet në të gjitha institucionet e vendit sipas statusit të ri politik të Republikës së Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran. Në mbledhjen e qeverisë janë miratuar projektligjet të cilat u janë dorëzuar Kuvendit të Kosovës për miratim si projektligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme, projektligji “Për privilegjet dhe imunitetet diplomatike”, projektligji “Për shtetësinë”, projektligji “Për policinë”, projektligji “Për inspektoratin policor”, projektligji “Për dokumentet e udhëtimit”, projektligji “Për simbolet shtetërore”, projektligji “Për zonat e veçanta të mbrojtura”, projektligji “Për vetëqeverisjen lokale” dhe projektligji “Për kufijtë administrativë komunalë”, ligje këto që kanë dalë nga pakoja e Ahtisarit.
19 Shkurt 2008