E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti, 60 për qind e nënave shqiptare nuk ushqejnë fëmijën me gji



Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me organizatat e huaja të shëndetësisë synon nxitjen e nënave për ushqyerjen e fëmijëve me gji. Aktualisht rreth 40 për qind e fëmijëve ushqehen me gji deri në fund të muajit të gjashtë, krahasuar me 23 për qind që ishte në vitin 2002. Shtimi i ushqyerjes me gji për fëmijët lidhet me mbijetesën e fëmijëve, siç është ulja e vdekshmërisë foshnjore në 50 për qind deri në vitin 2015. Gjithçka bëhet për të rritur jetëgjatësinë e fëmijës dhe të inteligjencës së tyre. Studimet e kryera nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregon se një fëmijë që është ushqyer me gji është tre herë më shumë i aftë të mbijetojë, sesa një fëmijë që nuk është ushqyer asnjëherë me gji. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë dhe organizatat e huaja e kanë shtrirë projektin në disa zona të vendit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë objektivi për stimulimin e ushqyerjes së fëmijëve me gji ka nisur të realizohet rreth 7 vjet më parë, me një projekt të mbështetur nga OBSH dhe UNICEF. Projekti është shtrirë kryesisht në zonat e thella dhe periferike të vendit, si në spitalet qendrore në qytetin e Pogradecit, Korçës, Bulqizës, Peshkopisë, Kukësit dhe Tropojës. Nëpërmjet këtij projekti janë sensibilizuar mjekët dhe infermierët në spitalet e vendit për rëndësinë që ka ushqyerja me gji te fëmijët deri në moshën 6 muaj. Qëllimi i zbatimit të këtij projekti, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, konsiston në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë foshnjore nëpërmjet rregullave të përcaktuara nga fiziologjia. Shpeshherë specialistët e materniteteve më të mëdha të vendit kanë apeluar për zbatimin e këshillave mjekësore nga nënat. Madje, kjo metodë këshillimi zbatohet në të gjitha rastet e lindjes së një fëmije. Nënat konsultohen me mjekët dhe infermieret për kujdesin që duhet të tregojnë ndaj fëmijëve dhe për mënyrën e ushqyerjes së tyre.

Qeveria vendos për fazën e 3-të të rikonstruksionit të spitalit të Shkodrës

Në mbledhjen e saj të radhës, qeveria vendosi për ratifikimin e marrëveshjes në kuadër të huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEDB), për financimin e projektit “Rehabilitimi i spitalit rajonal të Shkodrës”, që do të jetë faza e tretë. Spitali i Shkodrës do t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë për sigurimin e kushteve cilësore në shërbim të pacientëve. Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës do të bëjë financimin e projektit, e cila do të jetë faza e tretë e punimeve. Aktualisht në këtë qendër spitalore janë kryer mjaft punime dhe është bërë pajisja me aparatura, megjithëse mungesat janë të vazhdueshme.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›