E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet në kaos për fakultetet e dyta

Bllokohen diplomat e nivelit të dytë në fakultete. Mosdorëzimi i shkresës nga Ministria “ngrin” procedurat

Jonida Tashi

Universitetet publike gjenden në kaos dhe nuk dinë të kthejnë asnjë përgjigje të saktë për fakultetet e dyta. Pavarësisht se qeveria pak kohë më parë bëri miratimin e diplomave të dyta, shkresa zyrtare ende nuk u është përcjellë fakulteteve. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut e problemit për fakultetet e dyta, pasi që të nisin procedurat konkrete duhet që qeveria të miratojë kuotat dhe tarifat për studimet e nivelit të dytë.
Shkresa
Burime zyrtare nga Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se shkresa zyrtare për miratimin e diplomave të nivelit të dytë nuk ka ardhur ende në fakultet nga Ministria e Arsimit. Të njëjtat burime sqarojnë se pa u miratuar kuotat se sa studentë do të pranohen si dhe tarifat e studimit, fakultetet nuk mund të nisin procedurat për nisjen e këtyre studimeve. Ajo që dihet deri tani është vetëm fakti se për vitin e ri akademik qeveria ka vënë në dispozicion 500 kuota pranimi për programin e dytë të studimit. Ndërsa shpërndarja e tyre nëpër fakultete mbetet në pikëpyetje. Madje, tashmë ka kaluar edhe afati i fundit i regjistrimit i vendosur nga Ministria për të ndjekur këto studime që ishte data 15 shtator. Sipas dekanit të Fakultetit Histori-Filologji këto studime duhet të nisin në muaj tetor, kohë kur nisin të gjitha studimet e larta në vend.
Diplomat
Fakulteti i Histori-Filologjisë do të ketë më shumë diploma të nivelit të dytë se fakultetet e tjera të UT-së për vitin akademik 2008-2009. Për të marrë një diplomë të dytë fillimisht bëhet një kërkesë me shkrim, që dorëzohet në sekretarinë e fakultetit ku dëshiron të ndjekësh studimet. Pas udhëzimit të sekretarisë vazhdohet me procedurat e mëtejshme. Kreu i Universitetit të Tiranës sqaron se kuotat janë përcaktuar në varësi të kapaciteteve të fakulteteve. Aktualisht, këto kuota po shqyrtohen nga specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe pritet që së shpejti të merret dhe vendimi për shpërndarjen e tyre në fakultetet që e ofrojnë këtë të drejtë studimi. Të drejtën për të ndjekur një program të dytë studimi e kanë të gjithë individët që kanë përfunduar një program studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen kriteret që duhet të plotësohen për t’u pranuar në një program të dytë studimi. Kështu, për t’u pranuar në një program studimi të ciklit të dytë, kandidati duhet të zotërojë diplomë të nivelit të parë, ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të.

Diplomat e dyta të miratuara për Fakultetin Histori-Filologji
Diplomë e nivelit të dytë, në Histori
Diplomë e nivelit të dytë, në Arkeologji
Diplomë e nivelit të dytë, në Trashëgimi kulturore
Diplomë e nivelit të dytë, në Marrëdhënie ndërkombëtare
Diplomë e nivelit të dytë, në Gazetari, me profil Marrëdhënie publike
Diplomë e nivelit të dytë, në Gazetari, me profil Gazetari evropiane dhe ndërkombëtare
Diplomë e nivelit të dytë, në Gazetari, me profil Komunikimi ndërkulturor
Diplomë e nivelit të dytë, në Gazetari, me profil Marketing mediatik
Diplomë e nivelit të dytë, në Gazetari, me profil Drejtimi dhe menaxhimi i mediave

Diplomat e dyta, për Shkencat e Natyrës, Politeknikut dhe Bujqësorin

Megjithëse universitetet nuk kanë marrë ende vendimet e miratuara për fakultetet e dyta, sërish qeveria vazhdon të bëjë miratimin e diplomave të tjera për fakultet të dytë. Sipas vendimit të qeverisë, pranë Universitetit të Tiranës, do të hapen programet e mëposhtme të studimit, të ciklit të dytë, sipas fakulteteve: Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës: Programi i studimit “Kimi”, me profilin “Analiza kimike dhe vetitë e lëndës”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në kimi, profili analiza kimike dhe vetitë e lëndës; Programi i studimit “Matematikë”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në matematikë; Programi i studimit “Inxhinieri matematike dhe informatikë”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në inxhinieri matematike dhe informatikë; Programi i studimit “Informatikë”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në informatikë. Ndërsa në Fakultetin e Shkencave Sociale do të ofrohet programi i studimit “Filozofi sociale”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në filozofi sociale dhe programi i studimit “Shkenca Politike”, me profilin “Teoritë politike”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në shkenca politike, në profilin teori politike.
Politekniku
Qeveria ka vendosur dje hapjen, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, të programeve të mëposhtme të studimit, të ciklit të dytë, sipas fakulteteve: Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike: Programi i studimit “Inxhinieri tekstili dhe mode”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, në inxhinieri tekstili dhe mode; Në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit: Programi i studimit “Inxhinieri ndërtimi”, me profile: Ndërtim dhe administrim; Strukturist; Infrastrukturë e transportit; Programi i studimit “Inxhinieri hidroteknikë”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, DND, në inxhinieri hidroteknikë; Programi i studimit “Inxhinieri gjeodezi”, në përfundim të të cilit lëshohet diplomë e nivelit të dytë, DND, në inxhinieri gjeodezi.
Bujqësori
Diploma të tjera të ciklit të dytë janë miratuar edhe për Universitetin Bujqësor të Tiranës. Kështu, në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, do të ofrohet programi i studimit “Ekonomi dhe politika agrare”, në përfundim të këtij programi të lëshohen diplomat e mëposhtme: Diplomë e nivelit të dytë, në ekonomi dhe politika agrare, me profil zhvillim rural i integruar; Diplomë e nivelit të dytë, në ekonomi dhe politika agrare, me profil ekonomia dhe politikat e zhvillimit agrar. Po në këtë fakultet mund të ndiqet programi i studimit “Financë-kontabilitetet”, në përfundim të këtij programi të lëshohen diplomat e mëposhtme: Diplomë e nivelit të dytë, në financë-kontabilitet, me profil financë; Diplomë e nivelit të dytë, në financë-kontabilitet, me profil kontabilitet. Du diplomat e tjera të miratuar për këtë fakultet janë: Diplomë e nivelit të dytë, në menaxhim agrobiznesi, me profil administrim i ndërmarrjeve; Diplomë e nivelit të dytë, në menaxhim agrobiznesi, me profil marketing.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›