SHBA, verilindja përfshihet nga një stuhi e fuqishme dëbore

Një stuhi e madhe ka përfshirë kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara dhe disa qytete verilindore, duke shtruar rreth 40 cm dëborë si dhe duke vështirësuar apo bërë të pamundur udhëtimin e njerëzve nga një zonë në tjetrën.
Disa pjesë të zonës verilindore të SHBA u mbuluan nga rreth 60 cm borë.Përpara se dëbora të pushonte, zyrtarët u bënë thirrje banorëve që të qëndronin nëpër shtëpi dhe të evitonin daljen me makinë, pasi bora binte më shpejt se sa skuadrat borëpastruese mund të pastronin.
Transporti publik, nuk punon në pjesën më të madhe të tij, gjithashtu nuk funksionojnë as stacionet e metrosë të cilat kalojnë mbi tokë. Stuhia goditi gjithashtu Baltimorin, Nju Jorkun dhe Filadelfian. Shumë zona kanë mbetur pa energji elektrike ndërkohë linjat ajrore anuluan fluturimet.
Makinat borëpastruese pastruan pistën e bazës ajrore Andrews, në periferi të Washingtonit, duke mundësuar uljen e aeroplanit që solli presidentin Obama nga udhëtimi i tij në Danimarkë.