SHENIM/ Krenar që nuk merr vota për vete e partinë e tij
Dita e diel ishte një ditë e mbarë për dy vende- me disa ngjashmëri me Shqipërinë. Së pari në Kroaci opozita arriti të dalë fitimtare, duke mposhtur qeverinë që vetëm pak ditë më parë mori miratimin nga Parlamenti Europian për anëtarësim në BE në vitin 2013. Rruga e Kroacisë pritet të jetë shumë e vështirë për shkak të korrupsionit, papunësisë, por edhe problemeve të tjera ekonomiko- financiare, që e rendisin atë si një vend të ngjashëm me Greqinë.
Së dyti, në Rusi votuesit ndëshkuan Vladimir Putinin për qeverisjen e tij dhe për faktin se kërkon të jetë në përjetësi në pushtet. Edhe pse manipulimet kanë qenë masive, sërish Putin nuk arriti të ndalë rënien e lirë të partisë së tij.
Shqipëria ngjan me Kroacinë për shkak të synimeve të përbashkëta për integrim, kurse me Rusinë për mënyrën se si bëhen zgjedhjet dhe se si qeveris një emër i vetëm.
Ndërkohë të dielën në Durrës, kryeministri ynë, më i plakur se kurrë, u tha të rinjve se ai po qëndron në pushtet pasi ka rrëzuar Nanon duke përdorur Edi Ramën. Ngjashëm mund të kishte thënë se sërish është në pushtet se po përdor Metën për të mposhtur Edi Ramën. Çudi e madhe që asnjëri nga ata studentë që do marrin një copë diplomë dhe do jetojnë në parajsën e Berishës, nuk e pyeti se përse nuk flet ti kryeministër sa e ke rritur partinë tënde në zgjedhje, sa vota ke marrë ti si Sali Berisha dhe logoja e partisë tënde. Duket se i ka mbetur arma e fundit që pas zgjedhjeve lokale kjo e përdorimit të votave të të tjerëve për të trembur opozitën. Si është e mundur që ky kopshti me lule nuk i jep vota këtij kryeministri mjaftueshëm sa për të qëndruar në pushtet pa pasur nevojë të përçajë të tjerët, të përdorë kulisa e të devijojë vota që janë drejtuar së pari kundër tij? A e keni dëgjuar të flasë për votat që merr ai vetë, reformat e tij dhe logoja e partisë që drejton? Ky duket se është mjerimi i fundit, tentativa e fundit për tu thënë shqiptarëve se unë jetoj falë përçarjeve, jo falë votave. Dhe përdor një tezë që ia plaste turinjve Fatos Nano kur ishte në opozitë. Sa herë e kemi dëgjuar Nanon ti thoshte se Berisha është humbësi më i keq, kundërshtari më i dobët, nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje. Tani këto gjëra ia thotë kundërshtarit të tij. Sa keq të jesh krenar që nuk merr vota dot!
