SHENIM/ Ku po shkon vendi pas rënies së integrimit?
Niku Popesku, një analist i Këshillit Europian për Marrëdhënie me Jashtë dhe ish- këshilltar i kryeministrit të Moldavisë, duke i këshilluar Kishinjaut dhe Kievit që të punojnë me reformat për të parë perspektivën e anëtarësimit në BE, shkruan: Shihni Shqipërinë. Shqipërisë i është premtuar prej shumë kohësh një anëtarësim në BE. Por shihni mënyrën se si janë mbajtur zgjedhjet e fundit aty, për të mos përmendur përplasjet mes partive rivale dhe vdekjet, ka shumë pyetje pa përgjigje… fjalët e BE janë të rëndësishme, por ato nuk e kanë bërë Shqipërinë një vend evropian.
Në të vërtetë, gjatë një seance të Komisionit Amerikan të Helsinkit, një nga çështjet që i diskutua më shumë ishte se a kanë BE e SHBA mjetet e duhura për të bërë presion që Shqipëria të vijojë rrugën e reformave. Kjo pyetje shtrohet për shkak se vendi ka hyrë në NATO dhe ka fituar liberalizimin e vizave. Në këtë mënyrë duket se kanë humbur instrumentet e joshjes për ta mbajtur vendin në rrugën e reformave.
Një gazetar i njohur gjerman, duke shkruar për zgjedhjet e fundit lokale në Frankfurter Allgemeiner Zeitung, thotë se perspektiva e anëtarësimit në BE duket e largët, ndaj fjalët e Brukselit bien në vesh të shurdhër.
Por çfarë po ndodh në Tiranë. Integrimi duket se ka rënë. E ndoshta jemi pak naivë, por na duhet të themi se në këtë mënyrë ka rënë edhe qëllimi pse u ngrit ky koalicion qeverisës. A nuk ishte Berisha që tha se po bashkohet me Metën se kanë si synim madhor integrimin e vendit në BE? Pastaj për çfarë i duhet ajo prapashtesë në emër LSI-së kur nuk po arrin integrimin?
Ajo që ndodhi dje në grupin parlamentar të PD ishte një shfaqje e shëmtuar që po nxjerr në pah diçka të rëndë: Berisha foli gjerë e gjatë se sa rëndë është ekonomikisht Europa, duke u thënë indirekt shqiptarëve se nuk ka çfarë u duhet integrimi se keni vendin tuaj si kopsht të lulëzuar. Ta mendosh që kjo deklaratë vjen nga një njeri që para ca kohësh tha se do zhdukë lekun e do fusë euron, duke tronditur financat e vendit. Kjo ishte një përgjigje për aspektin ekonomik të nevojës për të mos u integruar. Sa për aspektin politik, përgjigja është edhe më e rëndë: ky vend nuk integrohet se ka opozitë.
Por ku po shkon vendi ynë në këtë mënyrë?
Zhvillimet e fundit duhet të jenë dëshpëruese për gjithkënd. Kjo për shkak se e kemi dëgjuar sa e sa herë kryeministrin teksa thotë se shqiptarët janë kombi që e duan më shumë integrimin se çdo vend tjetër. 98 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit, e nëse do i besojmë një ankete të Gallup, ata e duan integrimin për ta lënë sovranitetin në duart e Brukselit e jo të politikanëve shqiptarë. Dhe kanë të drejtë. Nisur nga ajo që po ndodh në Greqi, mund të kuptosh se sa i nevojshëm është presioni i Perëndimit për të ecur përpara. Dhe duke ndjekur fjalët e gazetarit të famshëm grek Takis Michas se nëse nuk miratohen plani i shpëtimit, vendi bie në duart e mafias, ne na bie të pyesim: në duart e kujt është shteti shqiptar tani?