SHENIM/ Pabarazia e votës nga qarku në qark
Gjatë fjalimit që mbajti në Kuvend për të dhënë arsyet pse do të votonte kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Fatmir Mediu tha ndër të tjera se ky kod nuk e jep votës të njëjtën peshë si në Kukës edhe në Tiranë. Në fakt shembullin e Kukësit dhe Tiranës e kanë përdorur shpesh kryetarët e partive të vogla, kur duan të sulmojnë sistemin aktual zgjedhor. Ata thonë se në Kukës duhen rreth 25% të votave për fituar një mandat (100% : 4 mandate = 25%) ndërsa në Tiranë duhen vetëm rreth 3% (100% : 32 mandate = 3%). Ky argument është shumë i thjeshtë për tu paraqitur dhe mund të ngjisë mirë te dëgjuesi/lexuesi i pavëmendshëm, por nuk është i duhuri për të demonstruar pabarazinë e votës nga qarku në qark.
Po të shohim rezultatet e 2009-ës, konstatojmë se qarku i Kukësit kishte rreth 44 mijë vota të vlefshme. Pra, mesatarisht, një deputet i qarkut të Kukësit përfaqëson rreth 11 mijë votues që janë zyrtarizuar si pjesëmarrës në zgjedhje. Ndërsa qarku i Tiranës kishte rreth 380 mijë vota të vlefshme, që do të thotë se një deputet i këtij qarku përfaqëson rreth 11.9 mijë votues që janë zyrtarizuar si pjesëmarrës në zgjedhje. Pra, pak a shumë, vota ka patur pothuaj të njëjtën peshë përfaqësimi, si në Kukës edhe në Tiranë. Dhe kjo është e vërtetë edhe për qarqet e tjera.
Po a ka një pabarazi të votës mes Tiranës dhe Kukësit?
Kufiri ligjor që një koalicion të merret në konsideratë për shpërndarje mandatesh në një qark është 5% e votave të vlefshme të qarkut. Pra, në Kukës, ky prag ishte 4.4 mijë vota të vlefshme. Por kufiri aritmetik për të marrë të paktën një mandat ishte më i lartë se pragu ligjor 7.1 mijë vota të vlefshme. Ndërsa në Tiranë pragu ligjor ishte 19 mijë vota, ndërsa pragu aritmetik ishte vetëm 10.9 mijë vota. Kështu që, një koalicion mund të merrte një mandat në Kukës edhe me 7.1 mijë vota dhe të mos merrte asnjë mandat në Tiranë, në qoftë se nuk siguronte më shumë se 19 mijë vota. Në një rast të tillë, votat për këtë koalicion do të kishin shumë më tepër peshë në Kukës se sa në Tiranë dhe jo anasjelltas.
http://respublica.al/artikuj/2012/07/20/shenim-pabarazia-e-votes-nga-qarku-ne-qark
