Vurmo: Mbështetja që i dhanë ndërkombëtarët reformës zgjedhore është zhgënjyese
Menjëherë pas miratimit të reformës zgjedhore, pati një vërshim vlerësimesh nga komuniteti ndërkombëtar. Ambasada e SHBA, përfaqësia e OSBE, ajo e BE, Komisioneri për Zgjerimin, të gjithë reaguan të kënaqur pas miratimit të kësaj reforme.
Megjithatë, disa ekspertë vendas, thonë se është zhgënjyese kjo mbështetje. Sipas Balkan Insight, ata argumentojnë se marrëveshja është një reformë në emër, por jo në substancë, dhe nuk do të garantojë standarde më të larta zgjedhore se ato të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009.
Ndërkombëtarët e kanë të vështirë që të lënë pas qasjen e tyre për ti dhënë më shumë rëndësi stabilitetit politik, tha Gjergj Vurmo, një analist në Institutin për Demokraci e Ndërmjetësim.
Ai thotë se marrëveshja zgjedhore është një deja-vu e vitit 2008.
Dy partitë e mëdha monopolizuan debatin për ndryshimet në kodin zgjedhor dhe mbi të gjitha mbrojtën interesat e tyre duke mos adresuar shqetësimet e partive të vogla dhe shoqërisë civile, thotë Vurmo.
Vlerësimi që komuniteti ndërkombëtar po i jep konsensusit të ashtuquajturës reformë, që është vetëm makijazh, është zhgënjyes.