SHIK-u, kaloi kompetencat që i jepte ligji
Oficeri i SHIK, dëshmitar i akuzës, në procesin e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, ka rrëfyer se kanë ndaluar njerëz me drogë edhe pse nuk e kishin detyrë
Sipas pretendimit të prokurorit, kjo provon faktin se SHIK-u rrëmbeu Remzi Hoxhën. Reagojnë avokatet
TIRANË- "SHIK-u ka kryer shkelje flagrante edhe në rastet e tjera përveç rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit, Avdyl Loshajt e Remzi Hoxhës, duke ndërhyrë në rastet që nuk janë kompetencë e tyre dhe që me ligj i ndalohen".
Në këtë përfundim, arriti përfaqësuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Xhevat Hana, mëngjesin e djeshëm, menjëherë pas dëgjimit të dëshmitarit të akuzës Ismail Saliut aktualisht efektiv i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH).
Dëshmitari tregoi para togave të zeza që gjykojnë çështjen e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit, dhe Avdyl Loshatjt, një rast kur efektivët e SHIK-ut kishin ndaluar tre persona me lëndë narkotike.
Kjo ndërhyrje, sipas prokurorit, ka qenë jashtë kompetencave të punonjësve të SHIK-ut, pasi ligji i ndalonte që ata të kryenin veprime policore përveç se në rastet e rrezikimit të sigurisë kombëtare dhe personaliteteve të vendit.
Prokurori Hana, para paraqitjes së dëshmitarit Ismail Saliu, i kërkoi gjykatës që seanca gjyqësore të bëhej me dyer të mbyllura, për shkak se të dhënat që dëshmitari jepte përbënin "sekret shtetëror".
Por, burimet e "Shekullit", thonë se dëshmitari Saliu, i cili punonte prej shumë vitesh pranë institucionit të SHISH-it, ka treguar para gjykatës një rast kur punonjësit e SHIK-ut kishin ndërhyrë në Fier duke arrestuar tre persona me lëndë narkotike. Këtë veprim, dëshmitari e ka cilësuar si të ligjshme, duke e argumentuar me faktin e parandalimit të një veprimtarie dhe një vepre penale .
Ndërkaq, për prokurorin Hana dëshmia e agjentit të SHIK-ut, vërteton se efektivët e këtij institucioni para vitit 1997 kryenin edhe veprime që nuk ua atribuonte ligji.
"Arsyeja e thirrjes së këtij dëshmitari, që për 10 minuta foli para gjykatës, është për të bindur Gjykatën se agjentët apo efektivët e SHIK-ut, para vitit 1997 kanë kryer një sërë veprimesh të tjera të paligjshme, përveç rrëmbimit të tre shtetasve: Ziso Kristopullit, Avdyl Loshajt e Remzi Hoxhës, rrëmbimi i të cilëve ka qenë jashtë kompetencës së tyre dhe në shkelje flagrante të ligjit për "Organizimin dhe Funksionimin e Shërbimit Informativ Kombëtar" (Shqiptar)"-mësohet të ketë thënë prokurori Hana para trupës gjykuese të Gjykatës së Krimeve të Rënda e përbërë nga pesë anëtarë.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit të të pandehurit Arben Sefgjini, që i kërkoi nga gjykatës të mos thirren dhe të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve njerëz pa interes për çështjen.
"Kujtojmë gjykatën, se ky është një proces politik dhe i montuar nga organi i akuzës. I kërkojmë gjykatës që mos të vazhdojë të thërrasë apo të dëgjojë dëshmitarë të prokurorisë që nuk janë me interes për çështjen që po gjykohet",- tha avokati Zef Nika.
Gjithashtu, në seancën e djeshme dëshmuan edhe shtetasit Bexhet Mujollari, ish-efektiv dhe Ulian Elezi, efektiv I SHISH-it, Jani Naçi ish-shef i krimeve në Komisariatin nr.3 në kohën e rrëmbimit të Remzi Hoxhës. Ky i fundit, pohoi se "nuk kam kryer shumë veprime hetimore pasi kam lëvizur nga ajo detyrë, por kam kërkuar verifikimin e targave të makinës me të cilën dyshohej se është rrëmbyer Remzi Hoxha. Këto targa rezultuan se nuk ishin në qarkullim",- tha dëshmitari Naçi, ish- oficer karriere në Polici.
Pas Naçit, ka dëshmuar edhe shoku i fëmijërisë së viktimës Ziso Kristopuli, Xhevdet Ashllori. Ai ka rrëfyer para para gjykatës bisedën me Kristopullin për rrëmbimin e këtij të fundit, ku ka pohuar se kishte mësuar prej shokut të tij se e kishte rrëmbyer SHIK-u dhe se më pas e kishin dërguar në Vain të Lezhës.