E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apartamentet për të pastrehët, prokuroria nis hetimet

ELBASAN/ Këshilli bashkiak ka kundërshtuar nismën e organit të akuzës për të hetuar lidhur me ndarjen

ELBASAN - Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin mbi ndarjen dy vjet më parë të 40 apartamenteve të ndërtuara për të pastrehët. Fakti u bë i njohur në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak, ku nënkryetari i Këshillit Bashkiak dhe njëkohësisht kryetar i komisionit për ndarjen e apartamenteve, Kujtim Azbiu, ka kërkuar që të vendoset në rendin e ditës diskutimi mbi këtë çështje dhe të merret një vendim i përbashkët për qëndrimin ndaj këtij hetimi. Në mbledhje është quajtur i padrejtë hetimi i një këshilli bashkiak nga një oficer i policisë gjyqësore, ndërkohë që burime nga prokuroria bëjnë të ditur se në raste të tilla hetimi mund të nisë edhe kryesisht. Nëse bëhet i ditur një fakt se në ndarjen e apartamenteve mund të jetë kryer shkelje ligjore, atëherë prokuroria ka të drejtë të nisë hetimin edhe mbi këshillin bashkiak. Hetimi për 40 apartamentet e ndarë në Elbasan kishte nisur rreth dy javë më parë, por vetëm dje ai është bërë i ditur, teksa nënkryetari Azbiu ka kërkuar që të kundërshtohet ky hetim.

Këshilli Bashkiak


Azbiu deklaroi se në adresë të Këshillit Bashkiak ka ardhur një shkresë ku thuhet se në bazë të kodit të procedurës penale kanë filluar hetimet mbi shpërndarjen e apartamenteve. Në këtë shkresë theksohet akuza për "shpërdorim detyre", por ndërkohë, sipas tij, kërkohen dokumentet sesi është vepruar me ndarjen e apartamenteve në këtë pallat. Sipas Azbiut, në pallatin ku janë strehuar 40 familjet, një oficer i policisë gjyqësore bashkë me dy efektiva të policisë iu kanë bërë presion me pyetje dhe supozime nga më të ndryshmet banorëve, duke treguar edhe paaftësi në zhvillimin e hetimeve. Në emër të Komisionit të Strehimit, ai kërkoi nga institucionet hetimore të mos paragjykohet Këshilli Bashkiak, të mos cënohet integriteti dhe dinjiteti i Këshilltarëve dhe të mos ndikohet politikisht kjo strukturë, por të kryejë hetime të bazuara dhe jo tendencioze. Deklaratën e Azbiut e kanë mbështetur të gjitha palët e këshilltarëve. Kreu i Këshilltarëve të Majtë, Agim Leka, tha se nuk mund të hetojë një oficer i policisë gjyqësore një Këshill Bashkiak apo një komision të dalë prej tij. Pas këtij diskutimi në fund të takimit u vendos që kryetari i Këshillit Bashkiak, Blendi Himçi, të kërkojë sqarime mbi këtë hetim nga prokurori i çështjes, duke u njohur edhe me akuzat apo formën e ndjekur për hetimin.


Problemet

Ndërkohë, gjatë kësaj mbledhjeje, kanë dalë edhe të metat e pallatit për të pastrehët me 8 kate. Këshilltarët kanë regjistruar edhe ankesat e para nga banorët përfitues. Në këtë objekt nuk është menduar për furnizimin me ujë, nuk është vendosur ashensor, sipërfaqja e apartamenteve është mjaft e vogël dhe vendndodhja nuk ka as rrugë. Shumë prej familjeve përfituese të këtyre apartamenteve që paguajnë çdo muaj këstin për të arritur shumën e apartamentit, thonë se është punuar keq dhe se banimi sidomos në katet 6, 7 dhe 8 është një torturë më vete për të moshuarit, një lodhje më shumë për të tjerët. Një prej tyre thotë se i duhet të ngjisë biçikletën, të vetmin mjet që ka, deri në katin e gjashtë të pallatit. Ai është vetë i gjashtë në shtëpi dhe ka përfituar një dhomë e një kuzhinë nga lista e këshillit bashkiak. "Ujë të pijshëm nuk kemi, dyer e dritare janë të cilësisë më të dobët të mundshme, asgjë tjetër s'është cilësore. Ashensori është menduar, por nuk mendoj se do të vihet në funksion ndonjëherë. Shtëpia ime u vlerësua 23 milionë lekë dhe më duhet të paguaj 82 mijë lekë të vjetra veç faturave, investimit që duhet për ujin e për gjërat e tjera që këtu mungojnë. I vetmi përfitim që kam, është pagesa me këste e asgjë tjetër". Ndërkohë, një tjetër banor i katit të dytë, Xhevdet Xhyra, thotë se çdo ditë hap derën që të mbushin ujë katet e tjera. "Këtu nuk është menduar asnjë zgjidhje. Unë jam invalid dhe fatmirësisht me short më ra në katin e dytë. Nuk po e marrim vesh këtë punën e këtyre shtëpive".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›