Zograf Çala, nuk më lanë të pyesja Remzi Hoxhën
Ish- i pandehuri
TIRANË- Në seancën e djeshme gjyqësore pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda me kërkesë të organit të akuzës, ka dëshmuar edhe ish-i pandehuri për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Zograf Çala. Ky i fundit në vitet '98-'02 ka qenë në kërkim si bashkëpunëtor në rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro- maqedonas. Sipas akuzës, ish-inspektori Çala që në kohën e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, kryente detyrën e të plotfuqishmit të zonës ku ndodhej magazina e Hoxhës për punime duralumini.
"Çala ka qenë i dyshuar si bashkëpunëtor në rrëmbimin e Remzi Hoxhës, duke u shpallur në kërkim për disa vite, për shkak se dyshohej se kishte ndihmuar agjentët e SHIK-ut për rrëmbimin e Hoxhës",- thuhej në vendimin e masës së sigurisë "arrest me burg", e vendosur në vitin 1998 nga Gjykata e Tiranës. Dëshmitari Çala, dje mohoi të ketë pasur lidhje me këtë rrëmbim, duke u shprehur se në vitin 2002 prokurori Përparim Hasa e vuri drejtësinë në vend. Sipas tij, ditën e rrëmbimit, kishte qenë pushim dhe pasdite ai ka marrë vesh që në zonën që ai mbulonte kishte ndodhur një rrëmbim. "Nuk kam bërë asnjë veprim të paligjshëm në rastin e zhdukjes së Remzi Hoxhës, përkundrazi kam punuar dhe dhënë informacione në rrugë operative për zbardhjen e çështjes. Unë nuk kam pasur dijeni për një vendim ndaj meje, pasi në atë kohë kam qenë në Greqi duke mjekuar gruan që ka ndërruar jetë. Kur kam ardhur në vitin 2002, kam marrë vesh nga prokurori Përparim Hasa se kam qenë i shpallur në kërkim dhe ishte vërtetuar pafajësia ime",-tha dëshmitari i akuzës Zograf Çala.